Aktori i mirënjohur i skenës dhe i kinematografisë shqiptare, Robert Ndrenika ka reaguar pas deklaratës së djeshme të kolegut të tij, Guljelm Radoja, i cili iu drejtua të parit duke e pyetur se përse ai “e shiti veten”, duke pranuar që Teatri të shembej, një kthesë të cilën Ndrenika e mori vitin e kaluar, pasi ishte shprehur në krye të herës kategorikisht kundër projektit për ndërtimin e një godine të re.
Gjatë fjalës së mbajtur në sheshin përbri TK-së, ku është stacionuar prej më shumë se një viti “Aleanca për mbrotjen e Teatrit”, si edhe anëtarë të shoqërisë civile, Radoja tha adresuar Ndrenikës:
“Një nga kolegët e mi i tha dikujt se ‘unë shkela mbi dinjitetin tim’. Pse shkele? A ka gjë më të madhe se dinjiteti? Secili prej nesh kur lan faqet në mëngjes shikon veten dhe thotë një fjalë: Ç’bëra dje?! Sa dinjtioz qeshë dje. Pse isha qesharak dje dhe lashë të shkelet mbi dinjitetin tim. Për çfarë? Përse u shite miku im?! Përse u shite kolegu im? Çfarë pakti bëre me djallin, që shkele mbi dinjitetin?”
Në lidhje me këtë deklaratë, ka reaguar Ndrenika i kontaktuar nga “Panorama”.
“Mendon se jam shitur?! Epo mirë, le të mendojë ashtu. Por a mund të më thotë se me se jam shitur?! E pra, kam marrë para. I thoni që kam marrë nja 200 mijë euro”, është shprehur me ironi Ndrenika, i cili sikurse pohojnë edhe miq të tij, po kalon një gjendje të rënduar shëndetësore.