Aktori i njohur Guljelm Radoja i pozicionuar që në krye të herës kundër shembjes së Teatrit, i është bashkuar të enjten artistëve dhe qytetarëve në mbrojtje të Teatrit.

Duke këmbëngulur që kauza e Teatrit të mos politizohet, ai u bëri thirrje kolegëve që të ruajnë dinjitetin e tyre, pavarësisht natyrës së brishtë të artistëve, ndonjëherë edhe të manipulueshme.

Kështu ai iu drejtua aktorit Robert Ndrenika, duke folur për kthesën që ky i fundit bëri, duke pranuar shembjen e ndërtesës.

“Një nga kolegët e mi i tha dikujt se “unë shkela mbi dinjitetin tim”. Pse shkele? A ka gjë më të madhe se dinjiteti? Secili prej nesh kur lan faqet në mëngjes shikon veten dhe thotë një fjalë: Ç’bëra dje?! Sa dinjitoz qesh dje. Pse isha qesharak dje, dhe lashë të shkelet mbi dinjitetin tim. Për çfarë? Përse u shite miku im?! Përse u shite kolegu im? Çfarë pakti bëre me djallin që shkele mbi dinjitetin?”, tha aktori.