Gjatë xhirimeve të filmit të ri "Fast & Furious 9" është shënuar një tjetër tragjedi pas vdekjes së protagonistit Paul Walker në 2013-n për shkak të një aksidenti me makinë.
Joe Watts, dublanti i aktorit Vin Diesel, ra me kokë nga një lartësi mbi 9 metra. Motorristi u shtrua urgjent në spital në kushte shumë të rënda shendetësore dhe është në gjendje kome.
Xhirimet u ndërprenë menjëherë, dhe një burim tha për tabloidin anglez "The Sun" se "Vin Diesel u pa në set disa sekonda pas tragjedisë. Ishte zverdhur, nën shock dhe me lotë në sy. Ai pa çfarë ndodhi".
E fejuara e Watts, Tilly Powell shkruan në Facebook se "kushtet shëndetësore janë të pandryshueshme dhe është monitoruar gjatë gjithë natës. E dua shumë dhe zemra ime është e shkatërruar. Familja e tij dhe miqtë janë pranë tij për ta ndihmuar të përballojë të gjithë këtë".





