Publikimi i përgjimeve të reja të dosjes 339/1 nga ana e të përditshmes gjermane “Bild” tronditi dhe njëherë politikën dhe opinionin publik, që prej muajsh e ka të përqendruar vëmendjen tek kriza që ka përfshirë vendin që pas djegies së mandateve nga ana e opozitës.
Këtë herë nuk bëhej më fjalë për përgjime të transkiptuara, por për audio reale, ku zyrtarë të lartë në Durrës dhe Shijak komunikonin në telefon me kreun e grupit kriminal Astrit Avdyli, që aktualisht ndodhet pas hekurave në pritje të gjykimit.
Audiot nuk linin më vend për dyshime, se pas numrave të telefonit të publikuar në përgjimet e mëparshme, qëndronin pikërisht funksionarë të lartë shtetërorë, kryetar lokal partie, apo vëllai i deputetit aktual të Kuvendit, Ilir Ndraxhi.
Një gjë që të bie në sy, në komunikimin e zyrtarëve me “vllain” Astrit, është se askush prej tyre nuk ka nevojë që ai t’u prezantohet, pasi jo vetëm që e njohin, por i njohin edhe numrin e telefonit. I vetmi që pyet se kush ishte personi që po e merrte në telefon është një votues i thjeshtë, në Shijak. Mjafton vetëm ky detaj i vogël për të treguar sesa të forta ishin lidhjet apo sa ndikim kishte Astrit Avdyli tek drejtuesit e Durrësit dhe Shijakut, aq sa t’i regjistronin edhe numrin në telefonin e tyre personal. Për të mos folur pastaj për atë që tregojnë bisedat, jo për një thirrje rastësore që ndodhi në një moment të caktuar, por për një komunikimin të vazhdueshëm dhe madje përulje ndaj këtij personi, që nuk mbante asnjë funksion publik apo partiak dhe kishte një background kriminal.
Se çfarë mendon opozita për këtë çështje të nxehtë nuk ia vlen të diskutohet, sepse ajo e ka kthyer në kauzë të vet, dogji mandatet dhe u derdh në protesta masive duke kërkuar largimin e Ramës dhe ngritjen e një qeverie tranzitore që të garantojë një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, ku vota e qytetarit të mos deformohet, as të shitet dhe as të blihet.
Ajo që vlen më shumë në këto momente është se çfarë mendojnë socialistët e vërtetë në Durrës e Shijak. Çfarë mendojnë gjithë ata njerëz që i kanë dhënë përherë votën PS-së, edhe në kohë të vështira, edhe atëherë kur selia rozë ankohej për vjedhjen e votave nga pushteti i Sali Berishës.
Ajo që vlen më shumë në këto momente është të dimë mendimin e figurave të njohura të PS, figura që gëzojnë një reputacion të mirë, falë përkushtimit profesional dhe integritetit moral që gjithnjë i ka karakterizuar.
Si mund të ndihen vallë deputetët e Durrësit, Rolant Xhelilaj apo Klodiana Spahiu, dy njerëz me personalitet të spikatur në Durrës kur janë ulur në Kuvend përkrah kolegëve të tyre Ilir Ndraxhi dhe Rrahman Rraja! Dy deputetë që nuk e kanë marrë asnjëherë fjalën në Kuvend, dy deputetë që një investigim i gazetarëve zbuloi se Ndraxhi vërtet kishte një diplomë në inxhinieri, por kishte punuar për 10 vite si shofer i thjeshtë e më pas ishte bërë biznesmen, ndërsa Rraja e kishte nisur shkollën e lartë 23 vite pasi kishte mbaruar të mesmen. Rraja u bë i njohur vetëm pas përdhunimit të Xhisiela Malokut nga djali i tij, sepse në të kundërt do ta kishte mbyllur ndoshta mandatin e deputetit pa u bërë asnjëherë publik në media.
Si duhet të ndihen gjithë ata socialistë të ndershëm, që shpesh u janë drejtuar deputetëve, zyrtarëve apo drejtorëve për të mbaruar një punë të tyre nëpër institucione, ndërsa dëgjojnë me veshët e tyre se drejtorët dhe kryetarët e partive nxitojnë të plotësojnë dëshirat e të “fortëve”!
Si duhet të ndihen gjithë ata njerëz të thjeshtë, profesionistë të mirë, që i janë përkushtuar për shumë vite me rradhë punës së tyre dhe vetëm prej bindjeve politike emri i tyre futet shumë kollaj në “listën e zezë” dhe kërcënohen me vendin e punës nëse nuk japin votën për të “fortin”!
Si duhet të ndihen gjithë ata njerëz të thjeshtë, kur një person me precedent penalë, që takohet dhe ha dreka e darka me kryebashkiakë, që din edhe axhendën ditore të Vangjush Dakos, që i dikton edhe vendin se ku duhet të takohen kryebashkiakut të Durrësit mund t’u trokasë në derë dhe nën pushtetin e partisë “shtet” u kërkon votën, sepse në të kundërt nuk dihet se çfarë i gjen…
Si duhet të ndihen gjithë socialistët kur kuptojnë sesi hartohet lista e kandidatëve për deputetë, apo sesi kandidatët për kryetar bashkie zgjidhen në minutën e fundit nga kupola drejtuese pa i pyetur fare se nga kush duan të drejtohen në 4 vitet e ardhshme!
Si duhet të ndihen gjithë ata njerëz që nuk kanë bindje politike por janë në pritje të alternativës më të mirë për të dhënë votën e tyre, kur shikojnë se pavarësisht se kujt i japin votën, fituesin e vërtetë të zgjedhjeve e diktojnë gangsterët dhe grupet kriminale!
Përgjimet janë bërë me urdhër të gjykatës, pas kërkesës së prokurorisë për të hetuar grupin kriminal Avdylaj. Gjithkush që del në konferencë për shtyp dhe nuk bën mea culpa, por turren si zagarët për të gjetur se kush i ka nxjerrë përgjimet tregon se çfarë derexhe shtet kemi ngritur. Deputeti Ulsi Manja tha dje se nuk i interesonte përmbajtja e përgjimeve, por nxjerrja e sekretit hetimor. Prokuroria nxorri urdhër ku ndalohej publikimi i informacioneve nga dosja 339 si nga shtypi ashtu edhe nga ndonjë tjetër formë.
Si duhet të ndihet i gjithë opinioni publik dhe gazetarët pas këtyre palo deklaratave?!
P.S. Ju lutem, vetëm mos thoni që fajin e ka opozita sepse ishte ajo, që i çoi përgjimet tek gjermani Peter Tiede… Edhe Kujtim Gjuzi do të jepte një përgjigje më të mençur!
M.B.