Nga Dritan Kaba
Pas mbarimit të punës voluminoze për hartimin e gjashtë letrave drejtuar Bashës, Kryeministri i vendit ka hartuar një tjetër strategji kombëtare, që do t’i habisë të gjithë shqiptarët. Së bashku, me stafin e tij të PR në kryeministri, ai do lançojë fushatën e grumbullimit të fondeve në shumën prej 140 milion eurove, për pagesën, që duhet të bëjë pas humbjes së gjyqit të Arbitrazhit në Washington.
Ai mbrëmë është pare, gjatë gjithë kohës në zyrën e tij, ku ka diskutuar me stafin e tij të ngushtë. Edi i ka komunikuar atyre vendimin, se nuk mund t’i lejë në kurriz shqiptarëve të varfër shumën prej 140 milion eurosh. Kryeministri shpalosi para tyre edhe planin e tij për të siguruar financimin e duhur.
Pas diskutimesh të shumta plani i tij u pasurua edhe me propozime të tjera shumë inovative të stafit të tij. Diskutimet dhe propozimet ishin nga më të larmishmet. Në sy bien propozimet e Ëngjëll Agaçit, të cilat ishin shumë konkrete. Ai i kërkoi miratimin e ligjit të importit të plehrave. Në këtë mënyrë mund të siguronin fonde të mjaftueshme për plotësimin e 1/3 e faturës totale.
Gjithashtu ai kërkoi që firmat fituese të koncensioneve PPP të paguanin pjesën tjetër prej 2/3. Por ky propozim u hodh menjeherë poshtë, si pamundësi të kalimit të ligjit në këtë kohë kur opozita është në sheshe.
Gjithashtu u pa e pavend që firmat koncensionare të ripaguanin. Ato do të ishin nën një trysni të fortë. Kështu u refuzua propozimi i tij. Më pas diskutimet vërtiteshin rreth këtyre argumentave.
Fantazia kishte mbetur në vend. Rrotullohej vetëm në PPP, sa nga rruget tek shëndetësia, kthehej tek inceneratorët, por nuk po bitisej gjë. Çdo propozim i kësaj natyre mbyllej me refuzimin e ashpër të Ramësme një Jo të prerë. Mos mi ngatërroni këto, bërtiste ai i vendosur. Dikush u mundua të sugjeronte hapjen e ekspozitave dhe shitjen në ankand të veprave madhështore të Liderit Suprem, por edhe ky propozim u hodh poshtë.
Arsyeja ishte e thjeshtë. Në të gjithë ekspozitat e hapuara, më shumë kishte kushtuar vetëm salla, pa llogaritur publicitetin, shpenzimet e udhëtimeve, se shitja e veprave gjigande të Ramës. Një i pranishëm shtoi nën zë se edhe ato që ishin shitur, ishin blerë nga ”anonimë”, që i njihte vetëm Kryeministri.
Kjo tollovi vazhdoi derisa pa pritur u shfaq në ekran lali Eri tek emisioni i Alketës “Në kurthin e Piter Pan”. Ai i bëri dhuratë, nga disa donacione, shtëpinë e re Xheisonit të vogël. Në këtë çast, si nga një ndriçim hyjnor, Liderit i shkëlqyen sytë.
Jeni komplet të paaftë, nuk keni fantazinë më të vogël. Ju mbledh të jepni rrugëdalje por jeni komplet idiotër. Ja lali i grumbulloi fondet në një kohë rekord për këtë kalamanin, ulëriu me të madhe.
Endri, thërriti ai. Mbaj shënim. Nesër urgjent një takim me të gjithë deputetët dhe ministrat. Do ta quajmë darkë informale. Aty do të parashtrojmë edhe kërkesën e qytetarit Edi Rama, i cili ka nevojë për 140 milion euro. E kemi sloganin "E gjithë vëmendja për ju" apo jo? Në këtë rast unë jam tek pjesa “Ju”, tha ai. Kështu e gjithë vëmendja tek halli i qytetarit Rama. Ka njeri më në hall se unë, jo nuk ka, vazhdoi i vendosur Edi. Më pas vazhdoi arsyetimin, ne fushatë nuk kemi çfarë të bëjmë se jemi vetëm gjithkund.
Kryetarin e bashkisë mund ta zgjedhim edhe vetëm me një votë. Kështu në çdo takim me socialistët do vendosim kuti prej xhami, që të jenë transparente, se ne kemi qeveri transparente, lërini ato tenderat “sekretë” që thotë opozita. Çdo qytetar duhet ta shohë lekun e tij kur ta hedhë në kuti. Kjo do të jetë një fushatë sensibilizuese për çdo votues tonin, këmbëngui Edi. Kështu kjo punë do fillojë me hapjen e fushatës së 1 qershorit. Aty do fillojë mbledhja e fondeve, Të gjithë të ardhurit duhet të kene lekë me vete që t’i hedhin në kutitë e xhamta.
Për mediatizimin e kësaj fushate kombëtare do të përdorim si fillim emisionin e Valbona Selimllarit “Ma jep dorën”. Alketën do e lejmë për në fund të mos biem në përsëritje. Nuk shkon që pas lalit të dal unë menjëherë në të njëjtin emision. Ka titull domethënës, do i lutem shqiptarëve me lot në sy të më japin një dorë.
Pas Valbonës, do shkoj, tashmë jo si i ftuar por si nevojtar, tek emisoni "Shqiptarët për shqiptarët". Aty kemi edhe Oltën, që na ndihmon. Endri flit pak me Elvis Naçin dhe Sidrit Bejlerin dhe thuaj që ju kam gjetur një personazh scoop, por lerja surprizë emrin. Në atë çast Fuga u hodh, po si surprizë. Ata duan të bëjnë xhirime paraprake për emsionin. Ju duhet të tregojnë sa në hall je, që të prekin donatorët nga e gjithë bota.
Rri aty rri, u skërmit Rama. A ja çon kasetat gati për lajmet e mia? Ja kështu do bëjmë edhe kësaj rradhe. Do t’i xhirojmë vetë skenat prekëse me ekpin e ERTV, do të quhen bashkëproduksion këto emisione.
Më gjeni edhe ata djemtë e "Fundjavë ndryshe" vazhdoi Rama. I themi Fevziut të bëjë një emison të dedikuar me ta tek “Opinion”. Kur do Fevzo i bën shqiptarët t’i dridhet mishi. Në fund do e mbyllim me Alketën te "Në kurthin e Piter Pan"”.
Po tek Çani nuk do shkojmë, ndërhyri Vali me shpejtësi. Jo, jo mërmëriti Edi, Çani është gjirokastrit, nuk bën punë badihava ai. Pastaj ka thënë që unë jam personi më i mërzitshëm në emisionin e tij. Kështu tek Alketa do e mbylllim fushatën e emisioneve të bamirësisë.
Më bëj edhe një listë emisionesh nga mëngjesi në darkë, i tha Fugës, por vetëm ditët e protestave mos më lerë emision se mund të më vijnë në studio protestuesit. Dua të shpalos këtë fushatë të madhe, vazhdoi Edi, ku në qendër ka njeriun e thjeshtë, mua Edin. Në këtë hall të madh prej 140 milion eurosh, përfundoi ai.
Bëhuni gati njerëz të mbledhim fonde për njeriun në nevojë Edi Ramën. Një fushatë model po na pret përpara! Suksese!