*30 vjet më parë: Formacioni i harqeve "Jan Kukuzeli" prezantohej me "Stinët" e Vivaldit
17 maj 1989, e mërkurë, ora 19:00, në sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" u prezantua Formacioni i harqeve "Jan Kukuzeli" i përberë nga studentët më brilantë të shkollës së muzikës së Durrësit. Në program një nga veprat madhore të historisë së muzikës: "Katër Stinët" e Antonio Vivaldit.
Violinisti dhe dirigjenti Florian Vlashi, nga Spanja e ka kujtuar këto ditë koncertin që 30 vjet më parë prezantoi jo vetëm Formacionin e drejtuar prej tij, por edhe veprën e Vivaldit "Stinët" për herë të parë në vendin tonë.
Këto koncerte u kompozuan rreth 1721-shit dhe çuditërisht, pas vdekjes së Vivaldit në 1741-shin, e gjithë vepra e tij ra në harresë – shkruan Florian Vlashi. Por korpusi i dorëshkrimeve të tij, që ishte deri atëhere në bibliotekën e senatorit dhe koleksionistit venedikas Jacobo Soranzo, blihet në 1764-n nga konti Giacomo Durazzo, nga familja e njohur gjenoveze me origjinë nga Durrësi.
27 vëllime, 28.000 partitura. Këto dorëshkrime me nje vlerë të pallogaritshme për artin universal u ruajtën dhe u trashëguan në arshivat e familjes Durazzo në disa breza, deri sa në periudhën 1926 – 1930 blihen nga Biblioteka Universitare Kombëtare e Torinos.
Kjo muzikë luhet për herë të parë në publik nga violinistja amerikane Olga Rudge në Siena gjatë koncerteve që ajo organizon në "Settimana Vivaldiana" nga 16 – 21 shtator 1939. Pra, 218 vjet pas vdekjes së Vivaldit, bota mahnitet me këto perla falë familjes Durazzo.
Kur 30 vite më parë katër koncertet e "Stineve", përfshi dhe sonetet shoqëruese, u interpetuan për herë të parë në Shqipëri, i takoi Durrësit të ishte i pari t'i dëgjonte në skenë nga muzikantët e tij…
Disa e quajnë rastësi të bukur, disa kombinime yjesh por unë mendoj se janë amanete të vjetra të pashkruara-shkruan violinisti i njohur në arenën ndërkombëtare, duke sjellë më pas emrat e të gjithëpjestarëve të formacionit instrumental.
Historia është histori dhe ajo që nuk kujtohet, harrohet.
"Formacioni i harqeve Jan Kukuzeli" 1989
Violinat:
Nevila Kalaja, Orges Caku, Mirela Liço, Pirro Gjikondi, Parid Subashi, Adelina Hasani, Hektor Llapa.
Violat:
Altin Thanasi, Klodiana Deçolli.
Violonçelat:
Sokol Koka, Rediana Lukaçi.
Kontrabas:
Krenar Dërasa.
Recitues të soneteve:
Odeta Dervishi, Mateo Ziu.
Solist dhe drejtues:
Florian Vlashi
Kopjuesi i partiturave, profesor Mustafa Turku.
Kurrë mirënjohja dhe adhurimi ynë për të nuk do të jenë të mjaftueshme, përfundon Florian Vlashi.
Nga Gëzim Kabashi