Thirrja e kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako në Prokurorinë e Krimeve të Rënda mori një vëmendje të madhe mediatike pasditen e së shtunës. Kjo për faktin se Dako ka qenë personazhi politik që është shfaqur në përgjimet e Prokurorisë që “rrodhën” në media pak muaj më parë. Dosja 339/1 dhe akuzat për shitblerje votash do të ktheheshin në kauzën e opozitës, e cila jo pak herë ka drejtuar gishtin nga kreu i bashkisë së Durrësit. Opozita ka 3 muaj që ka djegur mandatet dhe këmbëngul se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale me pretendimin se nuk do të ketë zgjedhje, pa u hetuar më parë shitblerja e votave në procesin e 2017-s.
Tani që 30 qershori po afron dhe tabloja politike nuk ka marrë ende trajtë për të konkretizuar atë që gjithkush do të dijë a do të ketë apo jo votim në këtë datë, Prokuroria kujtohet të thërrasë në cilësinë e personit që ka dijeni kryebashkiakun Dako.
Pse u kujtua pikërisht tani Prokuroria të trazojë ujërat dhe t’i rikthehet sërish kësaj dosje për të cilën ka shkruar edhe Zëri i Amerikës?
Në 9 maj, prokurorja e përgjithshme Arta Marku, në emisionin “Open”, deklaroi në lidhje me dosjen 339/1 se ajo është mbajtur vetëm në fazën e hetimit nga prokurorët e çështjes, pasi ka përgjime pa fund dhe asnjë nuk është zbardhur në letër. Madje ajo deklaroi se ka rreth 700 CD me përgjime ende të pa transkriptuara.
A deshën vallë prokurorët t’i tregojnë shefes së tyre se ata janë të zellshëm dhe po merren tashmë seriozisht me këtë dosje… Nuk besoj.
Kjo dosje ka trazuar politikën prej muajsh dhe askush nuk ka bërë as lëvizjen më të vogël për të hedhur dritë më shumë mbi këtë çështje. Secila nga palët e ka shfrytëzuar për llogari të saj. Megjithëse dosja dhe arrestimet e planifikuara i kushtuan vendin e punës ish-ministrit Xhafaj, Rama nuk e do zbardhjen e saj. Mund të dalin në dritë ato që opozita, media në Shqipëri dhe në disa raste edhe shtypi i huaj i ka denoncuar me forcë, shitblerjen e votës.
Por nga ana tjetër as Basha nuk e do zbardhjen e saj, të paktën për momentin. Kreut të opozitës i shërben kjo dosje për të mbajtur të karikuar elektoratin e saj, për të vazhduar akuzat në drejtim të Ramës, Dakos, Sejdinit, Gjiknurit, Rroshit, Ymer Lalës etj në një kohë kur përgatitet një tjetër protestë kombëtare, që do të mbahet në 25 maj. Bashës i duhen këto akuza për të anatemuar si të keqen më të madhe të këtij vendin rivalin e tij politik. Kreu i PD-së nuk u njoh me fenomenin e shitblerjes së votës nga përgjimet e Prokurorisë. Shumë eksponentë të lartë të PD-së e denoncuan atë fill pas zgjedhjeve të 2017-ës. Basha kishte qindra faqe raporte të ministrave të tij teknikë, por nuk ndërmori asnjë hap për të mos njohur dhe kundërshtuar rezultatin që prodhoi procesi zgjedhor.
Nga ana tjetër, megjithëse nuk kandidoi sërish për një mandat të katërt në krye të Durrësit, Dako e zgjodhi vetë pasardhësen e tij. Në udhëtimin e tij në Katar në mesin e muajit prill, Rama e mori Dakon me vete si pjesë e delegacionit zyrtar. Takimet e fundit zyrtare mes të dyve janë në mbledhjet e kryesisë së PS, të premten dhe të shtunën e 10 dhe 11 majit, para zyrtarizimit të kandidaturave të PS-së në 61 bashkitë e vendit. Dako mbetet koordinatori i të gjithë qarkut të Durrësit në zgjedhjet e 30 qershorit. Pra asgjë nuk është tronditur në pozitat e kryebashkiakut të Durrësit, pavarësisht akuzave në adresë të tij.
Rama do dilte më i nderuar të jepte dorëheqjen duke ofruar një zgjidhje për krizën politike, sesa të lëshonte Dakon dhe të legjitimonte fenomenin e shitblerjes së votës. Goditja e Dakos para zgjedhjeve, përsa kohë do të jetë kryeministër Rama, do të ishte një goditje mjaft e fortë për kryeministrin dhe PS-në. Një makth ky për Ramën, që deri një vit më parë dukej sikur po shkonte i sigurt drejt një mandati të tretë!
Rama, pavarësisht këmbënguljes së tij për të shkuar në zgjedhje pa kundërshtarë, e do opozitën për fasadë siç e ka përdorur deri para 3 muajsh. Lëshimet e vogla duke fituar kohë, kanë shkuar gjithnjë në favor të kryeministrit dhe ai do të luajë çdo gur të mbetur në fushë për të vijuar të mbetet triumfues në skakierën politike. Prokuroria përgjatë gjithë kësaj kohe që drejtohet nga Arta Marku ka treguar se nuk bën as lëvizjen më të vogël pa diktatin politik. Prandaj dhe kjo thirrje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda e Dakos dhe drejtuesve të shtabit elektoral të qarkut të Durrësit duket më tepër një tjetër tërhiq e lësho e politikës.
Dako nuk do të bëhet “kurbani” për zgjidhjen e kësaj krize. Në “fortesën” e tij, Durrësin, ai u shërben të dyja palëve. Të majtës për të valëvitur flamurin e fitores se edhe pas 12 viteve nuk konsumohesh në pushtet (përkundrazi të duan edhe më shumë, pavarësisht se të akuzojnë se ke betonuar një qytet të tërë!) dhe të djathtës për të mbajtur të karikuar besnikët dhe për të afruar sa më shumë të lëkundurit duke tundur si kartë fituese se gjithçka që ofron kundërshtari është një kryebashkiak që bashkëpunon me kriminelët për të blerë votat dhe prandaj opozita i humb zgjedhjet.
Në këtë fill të hollë që bashkon dy rivalët Rama dhe Basha, Dako qëndron në majë të gishtave duke mbajtur ekuilibrin. Nëse Dako do të binte, bashkë me të mund të binin edhe Rama e Basha. Prandaj edhe për ca kohë, Dako do vijojë të bëjë gjumë të qetë.
M.B.