Ditën e enjte, Dita Ndërkombëtare e Monumenteve në Amfiteatrin e Durrësit u celebrua me Ekspozitën “Shprehem me mozaik”, e cila ishte edhe aktiviteti final i nje programi edukimi të realizuar nga DRKK Durrës në bashkëpunim me DAR Durrës.
Fëmijë nga 5 shkolla 9-vjeçare të qytetit u ftuan në Muzeun Arkeologjik dhe u njohën me trashëgiminë shqiptare të mozaikëve, me teknikat e lashta e të reja të punës me mozaik dhe, së fundmi u inkurajuan të krijojnë mozaikë, pra të shprehen nëpërmjet këtij mediumi.
Procesi i krijimit u mbikqyr nga specialistët e DRKK Durrës. Punët më të mira të fëmijëve u përzgjodhën nga specialistët e DRKK Durrës dhe u ekspozuan në Galerinë Veriore të Amfiteatrit në një atmosferë festive.
Gjatë ditës së sotme, punët e fëmijëve tërhoqën vëmendjen e turistëve e vizitorëve të shumtë të kësaj periudhe në Amfiteatër.