Mbrëmjen e së dielës u finalizua me sukses edicioni i tretë i konkursit të bukurisë “Miss dhe Mister Shijaku”. Një garë e fortë mes 40 konkurentëve, 20 vajza dhe djem nga Shijaku dhe zonat përreth, një spektakël që u ndoq nga një publik mjaft i gjerë, disa prej të cilëve qëndruan në këmbë, një mbrëmje që përveç qëllimit për të kurorëzuar vajzën dhe djalin më të bukur mbarte në vetvete një mision emancipimi; “luftën” kundër mentalitetit të kësaj zone në qendër të Shqipërisë që siç thekson producentia Myzejen Konduri për DurrësLajm, është për të ardhur keq që në vitin 2019, gratë dhe vajzat po mbyllen brenda 4 mureve të shtëpisë.
Juria e spektaklit kryesohej nga kryebashkiaku Ardian Kokomani, një mbështetës i aktiviteteve kulturore dhe sportive. Institicioni i drejtuar prej tij ishte sponsorizues i spektaklit të bukurisë që siç po kthehet tashmë në traditë organizohet me sukses nga producentja Myzejen Konduri dhe stafi i saj.
Kurora e Miss Shijakut i shkoi bukuroshes 16-vjeçare Migela Pohumi, ndërsa skeptri i bukurisë i takoi 18-vjeçarit Iger Llaftiu.
Producentja Konduri bën të ditur se fituesit e konkursit të bukurisë do të marrin pjesë në “Miss dhe Mister Turizmi”.
Ashtu si producentja Konduri, edhe kryebashkiaku Kokomani, përmes një statusi në Facebook thekson se populli shijakas ka nevojë për aktivitete kulturore dhe se e mirëpret ndryshimin dhe të bukurën.
“Ne Shijak, kultures me ne fund po i kushtohet vemendja qe meriton! Nje nisme qe fillimisht ka thyer shume mentalitete, u finalizua mbreme me kurorezimin e vajzes dhe djalit me te bukur te Shijakut! Ky aktivitet i cili u sponsorizua nga Bashkia e Shijakut, solli ne vemendjen tone te gjithe vlerat tona artistike si zone. Aktivitete te tilla mungojne, sepse dhe nje here populli i Shijakut vertetoi qe e mirepret ndryshimin dhe te bukuren! Me shpresen se nisma te tilla do te shtohen, duke pasuruar panoramen e vendit tone!”,- shkruan Kokomani në Facebook.
M.B.