"Nxitoj" titullohet ekspozita e radhës e piktorit të mirënjohur Çaush Vathi, e cila vjen në 70-vjetorin e tij të lindjes.
Piktorë, kolegë dhe miq e të njohur të autorit, kanë qenë të pranishëm me rastin e çeljes së kësaj ekspozite në galerinë e artit “Nikolet Vasia” në qytetin e Durrësit.
Ekspozita në fjalë vjen në kuadër të aktivitetit të radhës që kolonia e piktorëve ka zhvilluar në vitet e fundit në pothuajse gjithë vendin.
Studiuesi Fatmir Toçi shprehet se ka një frymë të re nga shumë piktorë për organizimin e aktiviteteve të tilla, ndërsa në lidhje me piktorin Çaush Vathi u shpreh se kjo pikë e karrierës së tij ka ardhur falë punës, këmbënguljes dhe pasionit të tij për pikturën.
Gjatë inaugurimit të ekspozitës kanë përshëndetur piktori Qamil Prizreni dhe shkrimtari Shpendi Topollaj. Vetë autori, i emocionuar nga prania e shumë kolegëve dhe familjarëve të tij ka një falenderim për të gjithë.
Ekspozita do të qëndrojë disa ditë e hapur për artdashësit dhe vizitorët e qytetit bregdetar.