Në kuadrin e veprimtarive kushtuar librit, Biblioteka Publike Durrës, nën drejtimin e Znj. Mirela Ylli dhe moderimin e Znj. Teuta Dhima, organizoi më datë, 26 mars 2019, takimin kulturor- artistik, dedikuar poetes Trëndafile Molla.
Ky takim titullohej Le ta presim pranverën me poezi, pasi poezia është një ogur i mirë i çdo stine, por në veçanti i pranverës.
Biblioteka ka qenë dhe mbetet institucioni i përurimit të vlerave letrare. Ky takim do të renditet në radhën e shumë takimeve të tjerë dedikuar penës femërore në veçanti, duke përmendur këtu: Helena Kadare, Eva Kacanja, Ledi Myshketa, Alma Begaj, Merita Thartori etj.
Por, takimi me poten Trëndafile Molla merr të tjera vlera, pasi ajo është bijë e këtij qyteti, por që prej shumë vitesh emigron në Itali.
Nuk është poetja e parë që i organizohet një takim i tillë pasi për disa prej tyre kemi organizuar ekspozita individuale: përmend këtu autoren Ani Wilms, apo poeten Englatina Kume. Për poetet e larguara nga mëmëdheu është disi më ndryshe, pasi për ato është si një rikthim në mëmëdhe. Eshtë një demostrim që atdheu i ka në gji bijtë e bijat e tij.
Trandafile Molla (Baja) u lind më 5.01.1957 në qytetin bregdetar Durrës në një familje me traditë dhe kulturë patriotike. Ka mbaruar shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe kursin letrar 2-vjeçar me aktorin e njohur Milto Profi, regjisorin dhe shkrimtarin Gjergj Vlashi dhe regjizorin Enver Plaku. Prej 23 vitesh jeton në Novara të Italisë, ku në vitin 2000-2001 ka mbaruar konkursin interkomunal në shëndetësi me titullin: "Assistente Domiciliari e dei servizi tutelari", ndërsa në vitin 2004 u kualifikua me diplomën europiane: "Operatore Socio-Sanitario" me kualifikimin A.D.E.S.T.
Gjatë gjithë jetës është marrë me krijimtari në poezi e prozë. Është autore e vëllimeve me poezi "Fjalë zemre", "Kur zemra flet", "Vazhdoj të jem", "Atje dua" dhe "Mall për gjithësinë".
Ka marrë pjesë në disa festivale poetike, ku është vlerësuar me çmime: në Durrës 2017 "Muza e Adriatikut", Istog Kosovë 2017 dhe 2018 me "Mirënjohje Dr. Ibrahim Rugova", në Mat me "Mirënjohje" dhe çmim të tretë në konkursin e poezisë për nder të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, “Mirënjohje” në Festivalin e Poezisë “Muza Poetike Budiane” Mat 2018, në Tiranë në konkursin letrar "Dritë për Driteroin" tetor 2018, vlerësuar me çmim të dytë".
Më 17 dhjetor 2018 në Prishtinë, në Takimin Letrar "Esad Mekuli" u vlerësua me çmimin "Bardi III”. Gjithashtu është pjesëmarrëse në disa antologji letrare: "Antologji" në Revistën “Pelegrin”, Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve "Drita", "Në gjurmët Naimiane" Përmet 2017, “Na bashkoi Poezia", Antologjia "Babait" të Rrahman Hysenit, çmimi i tretë në “Antologjia Poetike Kombëtare i Jehona Shqiptare” Tiranë, mars 2018; Antologjia “Një krismë pushke për liri”, kushtuar dëshmorit Selim Berisha, mars 2019; Antologjinë “Të tjerët për Lame Kodrën” Malëshovë 2019. Gjithashtu është përfshirë nga autori Sabit Alidema në Antologjinë “Mendja, zemra, duart e arta” kushtuar femrës shqiptare.
Siç thekson edhe poetja, në hapat e parë të krijimtarisë së saj, ajo ka gjetur mbështetjen tek Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës, anëtare e të cilit është prej vitesh.
Trëndafile Molla është vlerësuar për krijimtarinë e saj edhe jashtë kufinjve të Shqipërisë, ku shquhet për pjesëmarrje dhe organizime të takimeve kushtuar librit.
Këtë vlerësim e dëshmoi më së miri edhe pjesëmarrja e shumë personaliteteve të artit dhe të kulturës në takimin dedikuar poetes. Përmendim këtu:Z. Shyqri Galica, Kryetar L. SH. A të Kosovës, i cili i dhuroi poetes, kompletin e veprave të figurës legjendare, Adem Demaçit. Z. Nikolla Spathari, Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës, Kryetarin e Klubit Pjetër Budi, Z. Hamdi Hysuka. Kritiku letrar dhe Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve Shqiptarë Z. Faik Xhani. Kryetarin e Shoqatës Përkujdesja Gjithëshqipëtare Z. Gjokë Dabaj, Kryetaren e L. Sh. A Kukës, Znj. Vera Istrefaj, drejtorin e Q. K. Kamëz, Z. Baftjar Cera, Presidentja e shoqatës kulturore Jehona shqiptare, Znj. Mira Korance, Presidentja e Associacionit Human Right protetion, Znj. Xhevahire Gjelaj, poetja dhe Presidentja e shoqatës Gratë frymojnë vlera, Znj. Farida Zmijani- Ramadani, profesori Kujtim Stana etj.
Takimi pati çaste emocionuese ku vlen të veçojmë përshëndetjet drejtuar poetes dhe prezencën e mësueses së parë të poetes Trëndafile Molla, Znj. Gjylys Lloshi. Takimin e përshëndetën me një kolazh poezish, nxënësit e rrethit letrar të shkollës 9- vjeçare 14 Nëntori, nën drejtimin e poetes Merita Thartori (drejtuese e kësaj shkolle). Instrumentistet e vogla, nxënëse të shkollës Jan Kukuzeli, ia shtuan edhe më shumë bukurinë këtij takimi, i cili u dokumentua me foto nga fotografi dhe arkivisti Q. K. “A. Moisiu” Durrës, Z. Luan Jaupi dhe u shoqërua me intervistë të poetes dhe kronikë nga televizioni Adria Net.