Vaso Papaj është një personazh në qytetin e Durresit, me një biografi të veçantë. Pinjoll i një familjeje me emër investitorësh të vjetër në Durrës, pas një kalvari të vështirë jetësor si i persekutuar politik, dhe një karriere të vlerësuar në sistemin pluralist, tashmë ka nisur të hedhë në vargje dhe prozë artistikisht përshtypjet dhe momentet e vështira të jetës.
Sapo ka botuar pjesën e fundit të një triologjie të titulluar "Dritë në Humbëtirë", që është vlerësuar si një dëshmi artistike e një epoke të përmbysur tashmë të dramave dhe tragjedive njerëzore që buronin nga e ashtuquajtura luftë e klasave.
Volumin e tretë të triologjisë autori e ka titulluar "Gongël" e cila përfaqëson një farë nyje gordiane të sistemit komunist. Lidhur me këtë libër, për të cilin autori ka punuar intensivisht rreth 2 vite, Papaj thotë se ka sjellë para lexuesit realitetin e hidhur të viteve të komunizmit të cilat barbarisht kanë shkatërruar qindra e mijëra familje pinjolle intelektuale.
Shkrimtari Vaso Papa ka shkruar në vitet 1969-1970 romanin "Një dimër mes dimrash" që pasi mbeti për 20 vite i murosur për arsye të përndjekjes politike u botua dy herë, më 1995 dhe 2006.
Ai ka përkthyer nga italishtja romanin "Ylli i mëngjezit" të poetes italiane Ada Negri botuar më 2008, ndërsa ka botuar edhe disa vëllime me poezi të vlerësuara. Poeti Agim Bajrami i ka cilësuar veprat e Papajt si shprehje të ankthit ekzistencialist të individit në diktaturë.