Intervista e trajnerit Blendi Shkëmbi, dhënë pasi Teuta e tij pësoi humbje pas 15 javëve, duke u mposhtur 1-0 nga Luftëtari. 

Sot nuk u pa Teuta e pjesës së dytë me Kukësin… 
Nuk mund të shohim paraqitje të njëjtë të një ekipi, në çdo javë dhe kjo është e pritshme. Kisha kërkuar kujdes, pasi Luftëtari bën pjesë te ato skuadra ndaj të cilave nuk mund të gabosh. 

Nëse Partizani fiton, duhet të përqendroheni te Europa… 
Në fakt unë doja të fitonim sot, për të ruajtur vijimësinë, por gabuam dhe nuk ia dolëm. Kam përshtypjen që pikërisht ai vendi i parë na ka shpërqendruar disi. 

Pse vendosët t’ia besonit Prognit penalltinë? 
Ia besova atij, pasi në javët e fundit po ekzekutonte shumë mirë të gjitha goditjet standarde. Për më tepër, është një lojtar me eksperiencë dhe mendova se do të kishte qetësinë e duhur për të gjuajtur penalltinë. Por nuk jam aspak në pishman për këtë, pasi e di që penalltinë mund të humben nga kushdo. 

Çfarë note do t’i vinit Bushiçit për paraqitjen e sotme? 
Është një sulmues me eksperiencë, i cili ka gjithë besimin tim. Ka ardhur rishtazi te ne dhe ka nevojë për 2-3 javë të tjera, që të arrijë përshtatjen e duhur, pro ka besimin tim dhe mund të punojë i qetë. 

Mungon Osmani dhe humbni pas 15 javësh. Kaq i rëndësishëm është ai për Teutën? 
Është një futbollist me shumë eksperiencë në Kategorinë Superiore, që natyrisht që është shumë i rëndësishëm për skuadrën. Arrin të transmetojë qetësi dhe siguri te shokët e ekipit dhe për më tepër, ndihmon në zbatimin e detyrave taktike në fushë. 

Si e vlerësoni paraqitjen e mbrojtjes sot, pasi vuajtët shumë në atë repart? Sa ndikoi terreni në lojën e skuadrës? 
Mendoj se vuajtëm shumë me Dungën, pasi fitoi thuajse çdo dyluftim me mbrojtësit tanë. Por çdo futbollist mund të ketë një ditë të vështirë, gjë që është e pranueshme. Sa i përket mesfushës, Kallaku mund të ishte më efektiv, në një terren më të mirë, por në tërësi jam i kënaqur me impenjimin e futbollistëve të mesit të fushës.