15 vite burg ka kërkuar Prokuroria e Durrësit për stomatologen Olesia Duka. Pretenca për të u dha ditën e sotme. Ajo akuzohet për mashtrim me shuma të mëdha parash. Duke qenë se Duka ka përfituar nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i saj ulet automatikisht me një të tretën. Seancën e ardhshme do të japë qëndrimin e saj pala mbrojtëse për të vijuar me vendimin përfundimtar nga gjykata.

Sipas të dhënave nga sektori i pastrimit të parave në drejtorinë e krimit ekonomik rezulton se 38-vjeçarja ka mashtruar disa persona në Tiranë, Durrës, duke përfituar një vlerë të madhe monetare, rreth 2 milionë euro.

Fillimisht Duka u denoncua në polici nga pronari i një pike të këmbimit valutor në Durrës, I.H., i cili deklaroi se stomatologia i kishte marrë rreth 900 mijë euro. Pas denoncimit të shtetasit I.H., persona të tjerë, kryesisht biznesmenë, denoncuan se ishin mashtruar nga Olesia Duka, e cila u kishte marrë shuma të mëdha parash.