Nga Mustafa Nano
Basketbollisti serb, Nikolla Kalinich, në një intervistë për gazetën beogradase “Blic”, ka thënë mes të tjerave se “mjaft më me Kosovën, le të merremi vesh me shqiptarët dhe le të shohim përpara; lëri të tjerat, por ne serbët nuk jemi as ata që ne kujtojmë se jemi; sot jemi një pikë e vogël dhe e parëndësishme në hartën e madhe të botës dhe në kundërshtim me ç’thuhet e besohet prej nacionalistëve, nuk jemi një popull qiellor; asnjëherë nuk kemi qenë”.
Siç shihet, nuk është se thotë ndonjë gjë kushedi se çfarë. E megjithatë, në Serbi nuk janë të shumtë ata që i mendojnë, e aq më pak, ata që i thonë gjëra të tilla. Dhe është ky fakt, që më së shumti e komprometon shoqërinë e sotme serbe: Pafuqia për të menduar apo frika për të thënë gjëra kaq të qarta, të kuptueshme, logjike, normale. Në këtë kuptim, basketbollisti Kalinich meriton të duartrokitet e të përshëndetet. Meriton të përshëndetet që është mendjehapur, që ka guximin për t’iu kundërvënë histerive e paranojave nacionaliste në vendin e vet e në përgjithësi, për të thënë ca të vërteta të thjeshta e bazike që bien keq në veshin e shumicës, në mos në veshin e të tërëve, ndonëse për këtë i duhet të paguajë një kosto. Ka rrezik që të shpallet – ju kujtohet drama e Ibsenit, “Armik i popullit”?
Dhe Enver Robelli ka bërë mirë që ia ka sjellë lexuesit shqiptar këtë ngjarje. Mirëpo, unë dyshoj që Robelli të ketë kapur moralin e kësaj fabule. Unë kam frikë se Robellit në këtë mes thjesht i ka pëlqyer fakti që një serb denoncon sojin e vet. Ndodh shpesh mes nesh kjo gjë, apo jo? Ne kënaqemi pa masë kur marrim vesh se ndonjë serb mban qëndrime kritike ndaj establishmentit politikokulturor e ndaj shoqërisë së vendit të vet. Po kështu, edhe kur ndonjë grek është kritik ndaj marrëzive greke. Dhe këtë kënaqësi nuk e provojmë ngaqë na emocionon e vërteta apo guximi për të thënë të vërtetën, guximi për të lënduar tabú të paprekshme, e në përgjithësi për të denoncuar fiksime e paragjykime kolektive. Jo, jo, ne kënaqemi që një serb apo grek bëhet me demek “antiserb” apo “antigrek”. Ne kënaqemi, pasi kjo kritikë, në mendjen tonë, është një gjë që provon bindjen tonë se serbi është i lig, greku është i lig, se ja, edhe vetë po e thonë apo se vetëm shqiptari është i mirë. O sa mirë me qenë shqiptar!
Jam i prirur të besoj që Enver Robelli e ka mirëpritur këtë qëndrim të Kalinich-it bash për këtë arsye. Të ishte ndryshe, ai nuk do të kishte dalë publikisht – sa për të marrë një rast, ë? – për të shprehur ngazëllimin e vet prej gjestit të Xhakës e Shaqirit gjatë ndeshjes Serbi-Zvicër, përkundrazi, do ta kishte kritikuar këtë gjest krejt të pavend e provokativ, do ta kishte kritikuar me po atë disponim antinacionalist, që në këtë rast e ndihmon të pëlqejë Kalinich-in, do ta kishte denoncuar si një teatër që nuk ka fare lidhje me atdhedashurinë e patriotizmin, ose që të jem më konkret, nuk ka fare lidhje me çfarë Robelli ka pëlqyer kaq shumë te Kalinich-i. Veprimi i Kalinich-it nga njëra anë dhe ai i Xhakës e Shaqirit nga ana tjetër, bien ndesh me njëri-tjetrin. Nuk mund të ekzaltohesh prej të dyve. Mund të ekzaltohesh o prej njërit, o prej tjetrit. Prandaj, Robelli, mendoje pak këtë punë!
*Marrë nga “Provokacija” në “ABC News”