Partia Demokratike ka prezantuar këtë të premte alternativën e saj ekonomike në një takim me të gjitha shoqatat e bizneseve.

Në fjalën e tij, lideri demokrat Lulzim Basha tha se vendi është në një krizë të trefishtë ekonomike. Ai tha se “shqiptarët kanë humbur shpresën, qindra mijëra kanë braktisur vendin, të tjerë po bëjnë përpjekje për ta braktisur; Sipërmarrja e vogël, e mesme apo e madhe ka humbur mundësitë për zhvillim, për shkak të pushtimit të tregut nga oligarkia e lidhur me Edi Ramën.”

Ai theksoi edhe për investimet e huaja, të cilat sipas tij janë në rënie pikiatë pas mbarimit të disa projekteve të mëdha, të trashëguara nga qeverisja demokrate.

Basha tha se për biznesin e vogël, brenda 100 ditëve të para do të realizohet “rritja e kufirit të regjistrimit për TVSH nga 2 milionë lekë xhiro vjetore në 14 milionë lekë ose 140 mijë dollarë dhe uljen e kontributit të sigurimeve shoqërore nga rreth 24% në 18% për të vetëpunësuarit, ndërsa për të punesuarit 9%.”

Lidhur me biznesin e madh tha se do të realizojë uljen e çmimit të energjisë, taksë 9 % dhe rimbursim rekord të TVSH-së. “Taksa “Rama” për karburantet, prej rreth 30 lekë/litër  do të shfuqizohet menjëherë. Kjo nismë do të ndjehet si nga biznesi i madh, ashtu edhe ai i vogël”, tha Basha.

Kreu i opozitës paralajmëroi institucionet financiare të mos mbështesin atë që e quajti piramidën e re financiare 1,5 miliardë dollarëshe që po vë Rama në zbatim. Ai tha se së pari, sistemi ekonomik duhet çliruar nga zaptimi i trefishtë i tregut: Krimi, Oligarkia dhe Burokracia.

Basha tha se PD ka shpallur edhe platformën për shkatërrimin e “sistemit oligarkik”.

“Asnjë kontratë, leje a licencë e fituar në mënyrë abuzive nuk do të mbetet në fuqi. Çdo pasuri e vënë abuzivisht do të hetohet me barrën e provës të ligjshmërisë mbi oligarkët e nëse gjendet në keqbërje ndaj popullit e vendit, do të konfiskohet. Kemi sinjale që 1,5 miliardë dollarë kontrata korruptive do të hidhen në treg këtë vit. E paralajmëroj sistemin bankar dhe institucionet financiare të mos bëhet pjesë e kësaj piramide nëse nuk duan që kjo piramidë t’i marrë me vete.”