Kreu i PD-së Lulzim Basha, ka përsëritur sërish akuzat në drejtim të kryeministrit Edi Rama. Nga foltorja e Kuvendit, Basha tha se Rama sot erdhi i droguar në Parlament.

"Për herë të dytë brenda dy javëve Edi Rama ka bërë atë që bënë përfaqësuesit e diktaturës, e ka quajtur VOA-n, kazan.

Mbrëmë Zëri i Amerikës ka publikuar një hetim të thelluar, i cili bazuar mbi të dhëna tregon sesi Edi Rama e mori pushtetin me ndihmën e bandave kriminale dhe parave të drogës.

Dosja 339 tregon për aq sa është zbuluar se në 4 qarqe Edi Rama ka trafikuar këtu jo deputetë, por kukulla të krimit. Kjo nuk është e re.

Denoncimin e parë e kam bërë unë. Rama erdhi këtu në gjendje të droguar dhe nxori vulgaritetet e zakonshme me shpresën se këto do dominojnë lajmet.

Mashtrimet bajate dhe gënjeshtrat e trasha që futi nuk e shpëtojnë dot.

Vetë Zëri i Amerikës ka publikuar faktin se Rama është një kryeministër falso dhe ka ardhur në pushtet me banda dhe paratë e drogës", tha Basha.

Sapo kreu i PD-së ka mbyllur fjalën e tij në foltore, opozita ka lënë menjëherë seancën. Deputetët e PD-së dhe LSI-së kanë zbrazur karriget dhe janë larguar nga Kuvendi.