Teuta nuk njeh pushime. Edhe pse luajti kundër Flamurtarit, zbriti në fushë për të kryer jo vetëm stërvitje, por edhe një… miqësore.Kundërshtar kishin zgjedhur Vëllaznimin e Kosovës dhe ndeshja ka përfunduar sërish në barazim. Sikur të mos mjaftonte “X”-si kundër vlonjatëve për llogari të javës së 19-të të Kategorisë Superiore, edhe me kosovarët nuk shkuan më larg se shifrat 2-2. Bledi Shkëmbi e shfrytëzoi këtë test për t’u dhënë minuta atyre janë aktivizuar shumë, por edhe lojtarëve e afruar nga akademia.

Ai që ra në sy ishte Renato Arapi, i cili më në fund debutoi me fanellën e Teutës. Sakaq, golat për durrsakët u realizuan prej Vecajt dhe Bushiçit. Kroati gjen sërish rrjetën, por këtë herë nuk iu anulua. Duhet thënë se paraqitja e 32-vjeçarit ka qenë më shumë se bindëse. Ai po ambientohet shumë shpejt me skuadrën e tij të re.Renato Arapi vërtet luajti dje në miqësore, por ende nuk ka firmosur me Teutën. Ai parimisht ka mbyllur gjithçka me klubin, por që të federohet, fillimisht pret që të marrë “viston” nga federata turke. Në kësi kushtesh, 32-vjeçari nuk është ende 100% lojtar i bregdetarëve. Pa marrë lejen e kalimit, nuk mund të zyrtazirohet.

Duhet thënë se kontrata e tij është gati dhe mungon vetëm nënshkrimi i mbrojtësit. Bledi Shkëmbi e ka kërkuar vetë lojtarin, ndaj po pret nga momenti në moment që të marrë OK-in për ta aktivizuar në ndeshjet zyrtare dhe blinduar prapavijën. Gjasat janë që kjo histori të marrë fund në ditët e fundit të merkatos dhe nëse gjithçka shkon sipas planeve, nuk përjashtohet mundësia që Arapi të aktivizohet në javën e 20-të kundër Tiranës.

Skuadra ka zbritur në seancën e radhës stërvitore pa humbur aspak kohë, për të rifilluar përgatitjet për ndeshjen e radhës, e cila është e programuar për ditën e premte ndaj Tiranës. Natyrisht, seanca e parë stërvitore pas takimit me Flamurtarin ka shërbyer edhe për të kuptuar se çfarë nuk shkoi në takimin përballë vlonjatëve, ku skuadra nuk reagoi në fushën e lojës ashtu siç stafi dhe tekniku dëshironin.