Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, akuzoi kryeministrin Edi Rama, se me para të botës së krimit, po hap ekspozita ne vendet e Bashkimit Evropian. Vaslili tha se ekspozita u hap pikërisht në Gjermani, vend i cili sipas tij denoncoi me fakte lidhjet e qeverisë shqiptare me krimin.

"Ndonëse Shqipëria është e mbërthyer nga bora, është në palcën e dimrit, mijëra studentë janë në një revoltë plotësisht legjitime që ka ardhur pikërisht nga roli negativ, shumë destruktiv dhe aspak zgjidhës i Kryeministrit të Shqipërisë dhe megjithatë, pikërisht në valën e gjithë këtyre problemeve Kryeministri i Shqipërisë ndodhet në Gjermani për ekspozitën e tij.

 Ti Kryeministër që ndodhesh në Gjermani sot në ekspozitën e pikturës, në ekspozitën e punëve të tua, në ekspozitën e qefeve të tua, por pikërisht në Gjermani të gjithë e kanë të qartë dhe nuk kanë nevojë të shikojnë ekspozitat dhe pikturat e tua, pasi pikturën më të qartë për çfarë bën ti me qeverisjen tënde, atë për të cilën ti je ngarkuar nga populli që të bësh, ata e kanë shumë të qartë në librin 'Partneri kriminal'", tha Vasili.

Akuza hodhi edhe Partia Demokratike përmes deputetes Albana Vokshi: 

"Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike, pērcakton në nenin 27 të tij se, “Kryeministri nuk mund të ushtrojë veprimtari private që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar”. Duke shitur krijmtarinë e tij artistike dhe duke krijuar të ardhura të deklaruara 79 milionë, kryeministri Edi Rama ka vepruar në cilësinë e personit fizik tregtar, siç e përcakton ligji për të drejtat e autorit. Kjo përbën qartazi papajtueshmëri me funksionin e Kryeminstrit dhe deputetit, duke shkelur hapur Kushtetutën. Në këto kushte, Kuvendit të Shqipërisë i takon të mos sillet si vegël në duart e Edi Ramës, por të ushtrojë të drejtën e vet: të konstatojë papajtueshmërinë me funksionin e Kryeministrit/deputetit dhe të deklarojë mbarimin e mandatit të Edi Ramës në bazë të nenit 71 të Kushtetutës", tha Vokshi.