Prania e Piero Ausilios në Cagliari mbrëmjen e së mërkurës ka shtuar zërat e merkatos për një operacion të Interit drejt mesfushorit 21-vjeçar Nicolo Barella.

Rritja profesionale e të talentuarit italian ka ardhur në mënyrë progresive aq sa tashmë lojtari i Cagliarit ka përfunduar në radarët e klubeve të mëdha të Premier League-s, sikundër ka bindur dhe Napolin të dalë hapur në tentativën për të përfituar shërbimet e tij, me klubin e De Laurentiis, që po ushtron jo pak presion mbi Cagliarin dhe vetë lojtarin në mënyrë që ta bindin atë drejt kalimit në Napoli.

Por zikaltrit e Interit duket se e kanë studiuar rastin e tij dhe kanë ndërtuar strategjinë për të mbyllur me sukses kalimin e Barellës në Milano.

Drejtuesit e Cagliarit i kanë bërë të qarta kushtet e tyre duke kërkuar jo më pak se sa 50 milionë euro për kartonin e 21-vjeçarit, por plani i Interit, siç zbulojnë mediet italiane, parashikon një lloj marrëveshjeje të shtrirë në kohë mes dy klubeve në fjalë, çka nënkupton se ziklatrit do të ishin të gatshëm të paguanin menjëherë shifrën prej 20 apo 30 milionë eurosh, duke i ofruar Cagliarit kartonat e disa lojtarëve të rinj.

Të gatshëm për të debutuar në Serinë A për disa vite në vazhdim, fillimisht me Pinamontin, Emmers dhe Vanheusden, po edhe kalimin e disa lojtarëve të tjerë të rinj në sezonet pasardhëse. Në këtë mënyrë pritet reagimi i Caglarit për tratativën që, nëse do të mbyllet, me sukses projekton kalimin e Barellas tek Interi në verë.