Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka urdhëruar deputetët, kryetarët e degëve dhe të deleguarit, të organizojnë strukturat për protestat.
Ora News disponon udhëzimin, i cili kërkon që mes datave 2 dhe 12 shkurt të organizohen protesta lokale në rrethe, ndërsa kërkon që të shkohet derë më derë tek qytetarët për të siguruar pjesëmarrje masive në protestën e 16 shkurtit.
"Organizimi i punës për takimet derë më derë në nivel seksioni dhe grupseksioni dhe format e përshtatshme për të ftuar dhe siguruar pjesëmarrjen e anëtarëve dhe qytetarëve në protestën e madhe në Tiranë, apo në protestat lokale", thuhet në udhëzim.
Po ashtu në udhëzim thuhet se duhet të përcillet mesazhi tek qytetarët për sigurimin e pjesëmarrjes maksimale me të gjitha format, takime me strukturat, takime me qytetarët derë më derë, ture të Kryetarit, fletushka, njoftime në rrjetet sociale, njoftime me sms apo telefonata.





