Që nga fundi i nëntorit të vitit të kaluar, PD-ja e Durrësit ka kryetarin e saj të ri, të zgjedhur me votat e anëtarësisë. Ferdinand Xhaferraj është një figurë e njohur për anëtarësinë demokrate të Durrësit. Ish-deputet, ish-ministër, ish-kandidat për kryetar bashkie, tashmë kreu i degës që pas Tiranës, konsiderohet si më e rëndësishmja në vend. Durrësi merr një rëndësi edhe më të madhe gjatë këtij viti elektoral, pasi nëse në Tiranë do të rikandidojë Erion Veliaj, kryeqyteti mund të vazhdojë të drejtohet sërish prej tij edhe për një tjetër mandat 4-vjeçar, sepse veç votave të socialistëve, ish-kreu i Mjaft-it gëzon simpatinë e kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi. E vetme, PD nuk mund ta fitojë kryeqytetin, për më tepër që propagandën Veliaj e ka pasur armën e tij më të mirë në këto 4 vite (konkuron edhe me kryeministrin Rama në këtë drejtim) dhe në fushatë elektorale nuk diskutohet që do të jetë në maksimumin e saj.

Prandaj Durrësi për afërsinë me kryeqytetin dhe rëndësinë si porti më i madh në vend mund të jetë beteja e vërtetë e demokratëve, ku përballë kanë një kryebashkiak si Dako që jo pak e kanë akuzuar për blerjen e votave dhe lidhjen me elementë kriminalë, por që prapë se prapë ka ditur të thellojë gjithnjë e më shumë diferencën e votave, pavarësisht konsumimit 12-vjeçar në post. Nga një diferencë prej 300 votash në vitin 2007, kur Dako fitoi mandatin e tij të parë përballë Armand Telitit, në vitin 2015, diferenca ishte e frikshme përballë Grida Dumës, 13700 vota në favor të kryebashkiakut socialist në mandatin tashmë të tretë të tij.

Në këto kushte, PD-ja e Durrësit niset që në fillim me një hendek të madh votash kundër. Dako me stafin e tij të ngushtë ka arritur më së miri të përkthejë në votë pro tij edhe ata që kohë më parë kanë votuar kundër PS-së apo kanë qenë të lëkundur (të mendosh që PD mund të arrijë të bëjë këtë gjë në qytetin bregdetar duket gati-gati utopike). Nga ana tjetër, PD-ja e Durrësit nuk arriti të nxjerrë ditën e votimeve, në qershor 2017, shumë nga votuesit e saj të rregullt. Rezultati është tashmë i njohur nga të gjithë, 9500 vota më pak në bazë qarku dhe vetëm 4 deputetë, rezultati më i dobët ndër vite. Kandidati i 5-të në listë, aleati i PD-së Agron Duka, që nuk mundi të sigurojë mandat deputeti, deklaroi në atë kohë se ishte i vetmi që bëri fushatë të vërtetë në Durrës dhe se nuk priste që strukturat e demokratëve durrsakë të ishin në atë gjendje. 

Kjo ka ndodhur vetëm një vit e gjysëm më parë dhe duket se pak gjë ka ndryshuar në PD-në e Durrësit. E mpakur prej grindjeve të brendshme, të cilat nuk i mohoi as kreu i ri Xhaferraj, degës lokale duket se i ka ardhur koha të hapet e të zgjerohet, të kthehet në opozitë të mirëfilltë që denoncon çdo ditë hallet e problemet e durrsakëve.  

"Ne betejën nuk e kemi me njeri-tjetrin, ne betejën e kemi me kundërshtarin, me Dakon dhe klanin e tij dhe si degë partie po bëhemi gati ta fitojmë këtë betejë”,- do të deklaronte fill pas zgjedhjes së tij Xhaferraj.

Por nëse beteja është me Dakon, kur do të kujtohet të bëjë opozitën PD-ja e Durrësit? Apo do të shkojë të trokasë në dyert e durrsakëve muajin e fushatës? Në atë muaj bëhet fushatë, kurse opozitë bëhet çdo ditë, me denoncime nga selia e degës apo nëpër rrjete sociale, me ngritjen e zërit për gjërat që shkojnë mbrapsht në këtë qytet apo për shërbimet e munguara kundrejt qytetarëve, për shpenzimet e fryra për rehabilitimin e rrugëve apo veprave të tjera publike etj (statuset e ditëve të fundit të Fatbardha Kadiut dhe Shkëlqim Fortuzit janë shumë pak për një parti që është në opozitë prej 18 vitesh në Durrës).

Më shumë opozitë ka bërë me bashkinë e Durrësit, ish-kryeministri Berisha përmes Facebook, sesa krerët dhe figurat kryesore demokrate të qytetit të marra së bashku. Madje edhe në kohën kur Dako u vu në qendër të akuzave të PD-së, nga figurat kryesore të PD-së durrsake nuk pati ndonjë reagim për t’u mbajtur mend, për të mos thënë që nuk pati fare reagim.

Disa kundërshtime në mbledhjet e këshillit bashkiak apo bojkotimi i pakuptimtë i mbledhjes së fundit në muajin dhjetor 2018 kur votohej buxheti janë shumë pak. Një protestë tek rrethrrotullimi te valuta që u ndërtua dhe u zvogëlua brenda dy javësh, sepse më shumë shkaktonte kaos në trafik sesa e normalizonte atë është prapë shumë pak për një parti që është në opozitë në Durrës që nga koha kur fitonte Miri Hoti. Dhe s’është çudi të vazhdojë të mbetet në opozitë edhe për një 4-vjeçar tjetër.

Me këtë mendësi jo vepruese, me mos kthimin në kauzë të tyre të problematikave qytetare, me thirrjen e bërë demokratëve për t’u mbledhur e bllokuar autostradën (në dhjetor 2018) për t’i kërkuar qeverisë zgjidhjen e problemeve ekonomike si ulja e çmimit të naftës etj, por nga ana tjetër pa shkuar së pari pranë qytetarit të thjeshtë për të denoncuar problemet e tij pasi ai vetë ka frikë të shprehet e të ngrejë zërin, PD-ja e Durrësit do të mbetet vetëm një opozitë që emrin ka të tillë, por jo veprat. Rikthimi i Gazmend Oketës, është shumë pak për të folur për hapje të PD-së, për afrimin pranë saj të të rinjve, të lëkundurve, të të pakënaqurve, të demokratëve që kanë ‘harruar’ të votojnë për të, sepse nuk u ngjall shpresë.

Në një kohë, kur populli duket sikur është shkundur nga protesta e studentëve dhe shumë shpresojnë se diçka e mirë do të dalë prej saj, PD-ja e Durrësit duket sikur ka mbetur në një status quo të frikshme. Nëse selisë blu i njihet merita për denoncimin e shumë skandaleve të mandatit të parë dhe të dytë të Ramës, degës së Durrësit mbetet t’i njihet dashamirësia e treguar ndaj Dakos!!!

Qershori dikujt mund t’i duket larg, dikujt tjetër shumë afër. Dako ka pasur 12 vite kohë për t’i treguar Durrësit mënyrën e tij të qeverisjes, PD-ja ka më pak se 6 muaj t’u ngjallë shpresën njerëzve se mund ta qeverisë më mirë këtë qytet. Në të kundërt, mos të lodhet fare të bëjë fushatë, humbja do të jetë e paralajmëruar dhe e thellë. Cilado qoftë kandidatura nga e djathta nuk mund të fitojë dot vetëm përballë Dako & co, edhe sikur të gëzojë respektin e pjesës më të madhe të qytetarëve.

Nëse pret rotacionin politik, Durrësi u ka treguar prej 18 vitesh demokratëve se mund të bëjë rotacion brenda PS-së, nga Miri Hoti tek Lefter Koka, nga Koka tek Vangjush Dako e nga Dako tek…

M.B.