Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu ka folur në një prononcim për “RTSH Sport” ku nuk i ka kursyer as batutat. Si një zanatçi i vjetër me afro 20 vite në drejtimin e durrsakëve, ai nuk ka nguruar të komentojë edhe situatën në Kategorinë Superiore.
I pyetur se cilën skuadër tjetër do të shihte kampione nëse nuk fitonte ekipi i tij, Hasanbelliu ka thumbuar presidentin e Kukësit, Safet Gjici duke u përgjigjur: “Nëse jo Teuta, ta marrë kush ta meritojë. Por un shoh si kampion Safet Gjicin. E shoh si Safet Gjici kampion, si skuadër është për vend të pestë”.
Numri një i “Djemve të Detit” ka folur edhe në lidhje me merkaton. Sipas tij mbrojtësi Renato Arapi është 99 % lojtar i Teutës.
“Arapi pothuajse është i Teutës. Ka një ngërç me ekipin e tij në Turqi, sa i përket çështjeve financiare. Ai, bashkë me menaxherin do të bëjë shkëputjen nga klubi ku ka qenë, por me 99% është një lojtar i Teutës. Pretendojmë të marrim një bullgar dhe një argjentinas. Ka disa alternativa, por shumë shpejt brenda këtij muaj do të themi se kush do të jetë përforcimi ynë”, përfundoi Hasanbelliu.





