Nga BUJAR QESJA
Bamiri flet për Talin, ndërsa unë për titullarin e viteve 30-të
-Detyrë numër një: të mos harrojmë traditën
-Detyrë numër dy: ta kujtojmë dhe rrëmojmë atë
-Detyrë numër tre: t'ia transmetojmë brezit pasardhës
-Detyrë numër katër: Këtë duhet ta bëjmë ne, 60-70-të vjeçarët e sotëm
Shkas për këto rradhë, u bë një shkrim nga Kanadaja, kryer nga inxhinjeri ynë, letrar njëkohësisht, Bamiri, djali i të mrekullueshmit profesor Danish Bebeziqi dhe dhëndërri i të mirit tonë Gani Gorana. Shkrimi i tij titullohet “Modelistja”, ku unë do të kisha dëshirë, ta dallonte me emrin thjesht: Tali. Bëhet fjalë, për rrobaqepësen historike të Durrësit Tali Pizha, tejet popullore, zëvëndësuese e së cilës zor se mund të gjendet më. Atëhere, vëmëndje ime që ngjason me antenat thithëse dhe transmetuese, kapi një dukuri tjetër në familjen Pizha.
Është një sentencë e njohur: "Kur respekton dhe vlerëson brezin e kaluar, je i destinuar të respektohesh dhe vlerësohesh edhe nga brezi pasardhës". Kjo që bën Bamiri, kjo që bëjmë të gjithë nga pak, duke qenë në rolin e krijuesit apo të plotësuesit, i bëjmë nder identitetit dhe traditës tonë. Durrësi është një qytet i civilizuar, me njerëz fisnikë, plot kulturë dhe xhentilesë. Në çdo fushë Durrësi ka fisnikët e tij, kalorësit e tij të përjetshëm, ato që na formatuan në përmasat e njerëzve të denjë dhe të nevojshëm për shoqërinë. Brënda nesh secili ka shembujt e tij, ka ato që mburret dhe që përbëjnë kurorën e krenarisë tonë qytetare.
Ndoshta u kalua lehtë, por brënda familjes së Talit, jetoi një "rrobaqepës" i jashtëzakonshëm. Por i një natyre tjetër. Nuk ia fal vetes, që nuk munda të qëndroj gjatë, me këtë "rrobaqepës" të topkëmbës durrsake dhe atij shqiptar. Një rrobaqepës që qendiste topat me pasime të përkryera, që arnonte me goditjet e tij rrjetat kundërshtare. Ky është i famshmi Kristaq (Taq) Pizha. S’kisha filluar ende të krijoja formatin apo stilin tim të të shkruajturit dhe aqsa në kohën kur jetoi Taqi ynë, isha më shumë shkrues i të përditshmes, se sa i retrospektivës.
Ai më fliste kur më shikonte. M’u ofrua si djali i Xhafës, por edhe si gazetar i ekipit të tij Lokomotivës, ku ishte nga më të zellshmit, që kishte krijuar Teutën e famshme të viteve 30-të, Teutën e Niko Dovanës dhe të djemve të tij të shkëlqyer, me trup të drejtë si lisi, të fortë si shkëmbi, të denjë si vetë qytetaria durrsake.
Ishte një burrë thatim, i hollë dhe me një trup paksa mbi mesataren. Çapiste me një hap të qetë e të matur dhe nuk donte, por as edhe të krijonte përshtypjen, se kishte qenë një futbollist klasi, m’u në fund të viteve 20-të dhe në fillim të viteve 30-të. Por unë kurrë nuk e kuptova, se ky plak fisnik, që fliste aq ëmbël dhe ishte aq i urtë, të ishte i madhi, madje shumë i madhi Kristaq Pizha, që së bashku me Niko Dovanën, u përfshinë në formacionin e ekipit kombëtar të Shqipërisë të atyre viteve, duke na zbardhur faqen.
Po si s’më foli kurrë ndonjëherë ky burrë, që përlotem kur e kujtoj, për veten e tij, për atë futboll brilant e të jashtëzakonshëm që krijuan djemtë simpatikë, të pashëm e zotninj të vërtetë të Durrësit të viteve 30-të! Ato ishin studentë që mësonin në Itali, por edhe tregtarë, që në fund javë luanin futboll në Durrës, e ktheheshin sërish në vendin e kulturës dhe qytetërimit pikant europian. E ndër to ishin Niko Dovana, Nikolla e Kristaq Tirana, vëllezërit Oresti dhe Rit Margariti, Zis Margariti, vëllezërit Nushi -Telemaku dhe Mikeli, Anastas Moisiu etj.
Teuta e Pizhës dy rekorde unikale
Më 24 prill 1932, Teuta mban rekordin për rezultatin më të thellë në historinë e futbollit shqiptar. Mbetet data 24 prill 1932. Teuta e Durrësit në kampionatin e tretë kombëtar të futbollit, mundi në shtëpinë e saj SK Elbasanin me rezultatin 16- 0. Formacioni i Teutës përbëhej nga këta futbollistë: Niko Dovana, Kristaq Pizha, Kristaq Tirana, Nikollë Bushi, Nimet Tartari, Elmaz Kurti, Adem Milla, Nani Sallata, Mikel Nushi, Jorgji Zaguridha dhe Anastas Moisiu.
Madje, Teuta mban edhe një rekord tjetër të papërsëritshëm në një rast të dytë. Dhe kjo ka ndodhur më 28 qershor 1931, në fushën e famshme të Shallvareve në Tiranë. Luante Teuta me Tiranën. Durrsakët pësojnë gol dhe Niko Dovana kryen një veprim të paparë ndonjëherë. Kthen një futbollist në portë dhe shkon në sulm për të barazuar. Dhe ia arrin kësaj. Një goditje e fuqishme e tij dhe Teuta barazon shifrat. Sportklub Tirana proteston në Federatën Shqiptare të Futbollit për kohën, pasi nuk lejohej që një portier të sulmonte. Por kjo kërkesë u trajtua si absurde dhe goli i portierit, është i njëllojtë me atë të lojtarëve të tjerë të ekipit.
Dhe Taq Pizha, ishte burri i denjë i këtij Tali të përkryer, që me të drejtë ju bashkëqytetarët e mi po e ngrini në qiell. Dhe menjëherë mendova: ku mburren durrsakët! Bëjnë mirë atë që dinë dhe fjalët i kanë në sënduk. Mburrja nuk është natyrë e tyre dhe aq më pak euforia dhe autolëvdatat. Por unë do të doja, por ne do të donim të gjithë, që ai të fliste, të dilte nga natyra e tij dhe një ditë të më thonte: Bujar Qesja, gazetari ynë i përbetuar, ti djalë duhet të dish këtë, këtë dhe atë, pasi i bëjnë nder historisë së futbollit të Durrësit, që i bashkëngjitet historisë tonë po të Durrësit në fusha të tjera, një prej të cilave përfaqëson edhe Tali.
Mbasi Kristaq Pizha u nda nga ne, vetëm atëhere unë arrita të informohem, se na kishte ikur një yll, një mbret i futbollit, por që kurrë sa qe gjallë, nuk e trajtoi veten e tij kështu. Por pse mor njeri i mirë, nuk t’a dha Zoti pak mundësi për të më shpjeguar, se si qëndronin punët dhe unë të kisha një armë më shumë, në përpjekjet për të evidentuar historinë dhe identitetin tonë të pasur në futboll?!
Ky ishte rrobaqepësi magjik i topit, me emrin emblematik Kristaq Pizha. Një mbretëreshe rrobaqepëse e përmendur e Durrësit me emrin Tali, kishte për bashkëshort një rrobaqepës po të tillë magjik, por të topit, me emrin e përmallshem dhe drithërues Kristaq Pizha.
Bujar Qesja
Mjeshtër i Madh
Durrës më: 9 janar 2019
Nga arkiva ime, kam mundur të gjej pas disa orë kërkimi, këto dy foto të mrekullueshme, me vlerë të jashtëzakonshme për historinë e futbollit durrsak. Kjo foto është e muajit prill 1930. Kampionati i parë kombëtar i futbollit.
Nga e majta Kristaq Pizha, në mes organizatori i Sportklub Teuta, i mirnjohuri Stefan Druga dhe futbollisti tjetër pikant Nikolla (Kol) Tirana.
Foto e vitit 1929. Ekipi i Teutës, që mundi ekipin e Vlorës 4-1. Në foto janë këto futbollistë: Në këmbë nga e majta: Aleksandër Tirana, Rit Margariti, Niko Dovana, Mikel Nushi, Anastas (Stas) Moisiu. Në mes: Kristaq (Taq) Pizha, Nimet Tartari (i jati i Kreshnik Tartarit), Stefan Druga. Për herë të parë Druga çfaqet si futbollist. Ulur nga e majta:Spiro Goga, Zisi Margariti, Nikolla Tirana.





