Momente ankthi për sulmuesin e kombëtares kuqezi Rey Manaj. Bomberi lushnjar ka marrë një goditje të fortë në kokë në sfidën e Segunda Division mes Granadas dhe Albacetes duke lënë fushën pas 30 minutash lojë dhe duke u transferuar me urgjencë në spital.

Rey Manaj i cili këtë verë u transferua tek Albacete nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë vitin 2019, për më tepër në një ndeshje ku sfidonte si kundërshtar ish-shokët e tij të skuadrës pasi vitin e kaluar ishte pikërisht pjesë e Granadas.

“Rey Manaj është transferuar në “Hospital PTS” për të kryer disa teste mjekësore dhe për të diagnostikuar shkallën e dëmtimit të kokës, pas goditjes së marrë gjatë ndeshjes”, ka shkruajtur klubi “manchego” në llogarinë e vet në Twitter.

Manaj është goditur në fytyrë, në mënyrë të rastësishme, në mes të pjesës së parë të ndeshjes, kështu që mori ndihmën e stafit mjekësor në fushë, para se të zëvendësohej dhe të dërgohej me ambulancë në spital.

Lojtari i Granadas, Germán Sánchez, ai që e goditi kaq keq, tha se gjithçka ndodhi pa dashje. Ai, madje, shkoi edhe në spital për ta vizituar personalisht “rivalin” dhe interesuar se si ishte. Natyrisht, ka pasur vend edhe për t’i kërkuar falje shqiptarit, duke këmbëngulur se nuk kishte asgjë të qëllimtë në këtë rast.