Në seancën e parë stërvitore të Teutës kanë munguar Osmani, Traore dhe Amadu Latif. Kapiteni i durrsakëve ka lejen e teknikut për seancën e parë stërvitore, ndërsa dy lojtarët e tjerë duket se e kanë “shkelur” rregulloren dhe pse janë lajmëruar për seancën e parë stërvitore, kanë munguar.
Gjithsesi, pritet të ketë gjoba për të dy lojtarët që kanë munguar në stërvitjen e parë të vitit 2019. Pjesa tjetër e grupit ka qenë e plotë, pa asnjë mungesë, pa asnjë shqetësim dhe të gjithë të gatshëm dhe në dispozicion. Seanca nis me një fjalim të teknikut korçar, i cili i ka uruar skuadrën dhe ka kërkuar ta nisin aty ku e mbyllën fazën e kaluar.
“Si fillim dua t’ju uroj një vit të mbarë dhe me shëndet të plotë. Jemi këtu për të rinisur punën tonë aty ku e kemi lënë dhe për të vazhduar në ato hapa. Na pret një rrugë e gjatë dhe shumë e vështirë, por të gjithë së bashku mund t’ia dalim në fund”, ka thënë Shkëmbi.
E hëna do të jetë dhe dita vendimtare për të mësuar më shumë për lojtarët që do vazhdojnë të jenë pjesë e projektit të kësaj Teute. Gjithashtu është mësuar që të dielën skuadra do të zhvillojë një ndeshje miqësore, por ende nuk është zbuluar plotësisht skuadra me të cilën do të luajë. Alternativat janë dy, me Tomorin ose me ekipin e të rinjve të Teutës, ndeshje që pavarësisht emrit do të zhvillohet në Durrës. Skuadra pritet të zhvillojë takime miqësore çdo tri ditë për të mbajtur të karikuar grupin.





