Çfarë po ndodh me Gonzalo Higuain? Këtë pyetje po e ngrenë kryesisht tifozët e Milanit, të ndjekur nga të gjithë dashamirësit e futbollit. Sulmuesi nga Argentina po përjeton një nga periudhat më të errëta të gjithë karrierës së tij, ndaj është ndezur “alarmi i kuq”.Kundër Bologna-s shkoi në 7 numri i ndeshjeve në të cilat "Pipita" nuk e ka gjetur rrugën e golit. Diçka e papritur dhe shqetësuese për një “monstër" të golit. Më 28 tetor daton “rrjeta” e fundit e Higuain me Milanin, në fitoren 3-2 ndaj Sampdorias, në “San Siro”. Që nga ai moment, “thatësirë” absolute.

Ajo që e bën më të komplikuar gjithçka lidhet me natën e çmendur të 11 nëntorit, kundër ish-skuadrës së tij, Juventusit, kur u ndëshkua me karton të kuq dhe pastaj u pezullua nga Komisioni i Disiplinës. Karikimi i tepërt për të bërë më të mirën kundër ish-shokëve të tij të vjetër dhe marrë hak bëri që të gabojë. Një dëshirë e madhe për triumf, që për fat të keq për të u transformua në tërbim dhe pezullim. U kthye kundër Dudelange, ku dha dy asiste, por zero gola; një gjë e rrallë për një bomber si ai. Me fanellën e Milanit argjentinasi ka shënuar vetëm pesë gola, 7 më pak se golashënuesi më i mirë i Seria A, Piatek, i cili i ka kushtuar Genoa-s vetëm 4 milionë euro.

Në Bologna Gonzalos i ka munguar pikërisht ajo që duhet të bëjë më mirë: të jetë i rrjedhshëm dhe të sakrifikojë në rikuperimin e topave. Mbrojtësit vendës e kanë mbajtur atë larg porte, duke e kufizuar në detyrat sulmuese. Për një Milan në Champions, skuadrës kuqezi i duhet Higuaini më i mirë. Përndryshe, rreziku i një viti tjetër pa pjesëmarrje në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klubet e futbollit është plotësisht real dhe blerja e argjentinasit nga Juventusi nuk ka për të ndodhur kurrë.