Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Parlament ligjin për Buxhetin 2019, pas protestave të studentëve që kërkojnë rritje të buxhetit për arsimin e lartë. Presidenca njofton zyrtarisht se kreu i shtetit po ndjek me vëmendje kërkesat e studentëve dhe situatën politike në vend.

“Presidenti i Republikës SH.T.Z. Ilir Meta, duke ndjekur me shumë vëmendje situatën politike më të fundit në vend, si dhe duke vlerësuar konsensusin e gjerë publik mbi kërkesat e studentëve, të cilat janë konsideruar nga të gjithë aktorët politikë si, të drejta, legjitime dhe të realizueshme, duke synuar interesin më të mirë në përmbushjen e objektivave sociale të parashikuara në nenin 59 të Kushtetutës, si dhe në garantimin e stabilitetit në vend, me dekretin nr. 10997, datë 13.12.2018 ka vendosur “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”, me qëllim rishqyrtimin e tij. Presidenti i Republikës, ka besimin e plotë se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve dhe interesit publik”.

Buxheti për vitin 2019 ishte votuar në Parlament një javë më parë dhe pritej të dekretohej nga Presidenti i Republikës. Por, për shkak se rritja me 5% e buxhetit për arsimin është një nga kërkesat e studentëve, kreu i shtetit e ka kthyer në Parlament për t’u rishqyrtuar.