Në galerinë e arteve pamore "Nikolet Vasija" të qytetit të Durrësit shoqatat kulture atdhetare "Labëria" dhe "Ismail Qemali", në bashkëpunim me shoqatën e shkrimtarëve të Vlorës, "Petro Marko", kanë çelur një ekspozitë fotografike të realizuar nga fotografi i vjetër, 92-vjeçari me origjinë nga Çamëria, Skënder Beqiri, me temën "Tragjedia e Çamërisë flet".
Në këtë ekspozitë, e cila kishte të ekpozuara mbi 750 fotografi të periudhave të ndryshme, ku përfaqësoheshin bijtë e çamërisë në të gjitha etapat e historisë së kësaj krahine të lashtë, duke përfshirë kontributin e dhënë në shpalljen e pavarësisë, periudhën e genocidit dhe shpërnguljen e tyre me forcën e armëve, kontributin e bijve të saj në luftën antifashiste nacinal-çlirimtare si dhe persekutimin e tyre të mëtejshëm në burgjet e komunizmit etj.
Në ceremoninë e hapjes u vu në dukje larmia fotografike e dëshmive historike të paraqitura. Në të morën pjesë, nënkryetari i bashkisë së Durrësit, Florian Tahiri, përfaqësues të shoqatave nismëtare për çeljen e ekspozitës dhe të shoqatës "Çamëria" si dhe përfqësues të komunitetit çam e të kulturës.
Lidhur me këtë ekspozitë, e cila është puna e një jetë e fotografit çam, 92 vjeçari Skënder Beqiri, autori bën me dije se këto foto historike janë fryt i përkushtimit dhe dashurisë së tij ndaj vendlindjes e cila ka pasur një histori të hidhur.
Ekspozita "Tragjedia e Çamërisë flet" pas Durrësit, sipas organizatorëve do të shtegtojë edhe në Tiranë dhe qytetet kryesore të vendit, e me pas në Kosovë.
K.H.