Suksesi është fjala që mund të përkufizojë më së miri pritshmëritë mbi librin më të ri të autores nga Durrësi, Gladiola Busulla Jorbus, “Namatisje-refleksione”.
Në Goterborg të Suedisë, shtet në të cilin po jeton dhe po shijon sukseset e krijimtarisë së saj, ditën e shtunë më 1 dhjetor, është bërë edhe prezantimi i librit, nën një organizim të shkëlqyer dhe me program të larmishëm artistik.
Në një komunikim me “DurrësLajm”, autorja e librit Gladiola Jorbus, tregon se “gjithçka ishte përgatitur nga qendra kulturore “Mbretëresha Teuta” në Goteborg në bashkëpunim me shoqatën “Migjeni”, me mbështetje nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe bashkitë përkatëse.
Recensentë të librit ishin Sokol Demaku, kryetari i QKSH-së “Migjeni” dhe drejtuesi i radio “Dituria”, profesor në Fjärdginskolan në Borås së bashku me psikologen shqiptaro- suedeze, Diellza Partini”.
Libri u prezantua me rastin e festimeve në kuadër të 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit, çka u mirëprit nga të pranishmit, të cilët theksuan nga ana e tyre vlerat që përcjell ky krijim i autores nga Durrësi.
Suedia si shtet social, ka politikë mbështetëse ndaj të gjitha etnive e komuniteteve të ndryshme që jetojnë aty. Madje vlen të theksohet se në kuadër të nismave të tilla, financojnë vetë bashkitë e vendit për të gjitha aktivitetet kulturore, artistike etj, duke bërë kështu një investim të rëndësishëm për afirmimin e kulturave.
* “Namatisja” – libri fluturak i durrsakes Gladiola Jorbus, i ngjizur në Shqipëri dhe botuar në Boros të Suedisë, është përuruar fillimisht më 1 nëntor në Shkup të Maqedonisë, në “Javën e letërsisë suedeze”, ku u organizua orë poetike suedezo-shqiptare me poetë suedezë dhe shqiptarë nga Suedia dhe Shkupi.
Kopertina e librit është realizuar nga piktori i talentuar italian Andrea Bazzochi; Redaktimi nga bibliografja e bibliotekës publike Durrës, Teuta Dhima; ndërsa botuesi Sokol Demaku, kryetari i qendrës kulturore “Migjeni” Suedi.
Libri ndodhet në 8 biblioteka suedeze, përkatësisht në qytetet Stockholm, Goterborg, Boros, Upsala etj.