Në kuadër të festave të nëntorit si dhe vitit mbarëkombëtër të Skënderbeut, dega e shoqatës atdhetare dhe kulturore "Tomorri" ka zhvilluar një aktivitet kushtuar luftëtarit dhe aktvistit Mane Nishova. Aktiviteti në fjalë është zhvilluar në bashkëpunim edhe me Kryqin e Kuq Shqiptar, drejtues i të cilit ka qenë për shumë vite Mane Nishova pas çlirimit të vendit deri në vitin 1969.

Kryetari i degës së shoqatës "Tomorri", Hajri Nuhu në hapje të takimit ka theksuar se treva e Skraparit dhe me gjerë ka qenë mbështetëse që në fillim të përpjekjeve për shpalljen e pavarësisë duke pasur përfaqësuesin e saj Xhelal Koprencka  në aktin e firmosjes së Pavarësisë si dhe majft aktvistë të tjerë.

Edhe gjatë luftës zona e Skraparit pati shumë luftëtarë që u rreshtuan në formacionet partizane dhe një ndër ta ishte pikërisht Mane Nishova, pjesëmarrës i luftës së Spanjës dhe më pas komisar i brigadës së 10 deri në çlirimin e vendit. Gjatë aktvitetit të pranishmit kanë ndjekur dokumentarin "Luftëtar i Spanjës dhe i Shqipërisë, Mane Nishova", përgatitur nga Hajri Nuhu dhe Aleks Kalemasi.

Takimi është përshendetur nga përfaqësues të bashkisë së Skraparit, ndërsa gazetari Bashkim Koçi ka vlerësuar figurën e Mane Nishovës së bashku me pjesëmarrës të tjerë, studiues dhe mësues veteranë.