Partia Demokratike sërish sot akuzoi kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe kërkoi arrestimin e tij.

Nga selia blu, deputetja tha se duke patur prokurorinë politike si protektore të pushtetit ilegjitim të Edi Ramës, kryetari i Bashkisë së Durrësit, mund ta shtyjë për pak arrestimin e tij, por ai e di shumë mirë se koha punon kundër tij.

Sipas saj, përgjimet e dosjes 339 kanë zbuluar para të gjithëve se Vangjush Dako është kapur në flagrancë duke bashkëpunuar me bandat në zgjedhje.

Metaliaj theksoi se Vangjush Dako do të arrestohet, do apo nuk do Edi Rama!

DEKLARATË E PLOTË

Pas zgjedhjeve te vitit të kaluar, vëzhguesit ndërkombëtarë pranuan blerjen e votave, kërcënimin dhe intimidimin e votuesve. Pas daljes në dritë dosjes 339, askush nuk mund ta mohojë këtë.
Përgjimet e dosjes 339 kanë zbuluar para të gjithëve se Kryeatari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, është kapur në flagrancë duke bashkëpunuar me bandat në zgjedhje.

Bandat ishin shtabi qëndror elektoral i Vangjush Dakos dhe Partisë Socialiste në Durrës. Bandat kanë blerë vota, kanë kërcënuar e intimiduar votuesit, ndërsa Vangjush Dako i ka shpërblyer ato me tendera dhe pasuri publike.

Ky është krim elektoral dhe ky krim elektoral duhet të ndëshkohet!
Për bashkëpunimin me krimin e organizuar në Durrës dhe blerjen e votave në shkëmbim të favoreve, Vangjush Dako meriton të shkojë në burg!

Duke patur prokurorinë politike si protektore të pushtetit ilegjitim të Edi Ramës, Kryetari i Bashkisë së Durrësit, mund ta shtyjë për pak arrestimin e tij, por ai e di shumë mirë se koha punon kundër tij!

Strategjia e Edi Ramës për ta shitur bashkëpunimin me krimin si normalitet politik synon të mpijë reagimin e shoqërisë, por nuk ka për të funksionuar!

Të vërtetat e dosjes 339 për masakrën elektorale dhe pushtetin e blerë përmes bandave nuk mund t’i mbulojnë as kërcënimet e propaganda e Edi Ramës, as heshtja e Vangjush Dakos!
Vangjush Dako do të arrestohet, do apo nuk do Edi Rama!