Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, shkalla e parë e vettingut për njerëzit e drejtësisë në vazhdën e Reformës në Drejtësi, ka shkarkuar këtë të premte nga detyra prokurorin Shpëtim Kurti.
Kurti ishte kandidat për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ndërkohë që seanca dëgjimore për rivlerësimin e tij u zhvillua një ditë më parë.
"Ndaj këtij vendimi mund të ushtrohet ankim nga Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të këtij vendimi", tha trupa gjykuese.
Vendimi i KPK u bazua në hetimet e zhvilluara për Kurtin, referuar edhe raporteve të institucioneve për kriterin e pasurisë.
Sipas DSIK, prokurori s’ka deklaruar kontaktet e papërshtatshme në formularin e dekriminalizimit edhe pse ka patur kontakt me një shtetas me precedent penal me inicialet H.M.
Në lidhje me këtë person, prokurori Shpëtim Kurti kishte deklaruar se me personin në fjalë janë nga i njëjti fshat dhe i vetmi kontakt që kishte pasur me të ishte që ishin shkëmbyer një herë në një lokal.
Kurti ka qenë zv/prokuror nga viti 2002 deri në 2007-n.





