Shkrimtari durrsak, Vladimir Muça është një krijues që megjithëse në moshë, nuk resht së punuari kudo që ndodhet. Ai shkruan në shtëpi me ore të tëra por edhe kur ulet për t’u relaksuar në ndonjë kafe, ai përsëri nxjerr letra për të shënuar mbi to personazhet e rinj, të cilët do t’i përpunojë e botojë më pas.
Kohët e fundit ai ka botuar një libër me disa tregime, motivet e të cilave janë të qëmtuara gjatë në jetën e tij dhe plot tema mjaft interesante për nga larmia e tyre.
Libri “Ankthi i pritjes”, është libri i 13-të i sapo botuar, që është në vijimësinë e punës së autorit dhe libri I tretë në prozë nga sëra e librave të botuara. Ai është konceptuar ndryshe si strukturë duke përfshirë vëzhgime dhe shënime të 25 viteve.
Shkrimtari Muça flet me imtësi mbi laboratorin krijues të tij dhe ngjizjen e personazheve interesante të këtij libri.
Libri ka shume tregime mbresëlënëse por si më të dashurin për të, shkrimtari përmend një tregim emocionues që ka shkruar për figuren e nënës së tij të ndarë nga jeta.
Tashmë Muça ka çuar në botim një libër të ri poetik me poezi të përzgjedhura, të shkruara që nga viti 1968 deri në ditët tona.
K.H.