Shfaqja teatrore “Tri gra dhe Misugi” me regji nga Suela Bako për dy netë me radhë u ndoq me shumë kureshtje nga publiku durrsak në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.
Vepra është një dramatizim nga novela e famshme “Çiftja” e shkrimtarit japonez Yasushi Inoue. Rolet në dramë luhen nga Suela Bako, Romir Zalla dhe Anila Muçaj.
Në thelb të dramës, janë tri letra dërguar Misugit, një burri, që gjendet në mes të një trekëndëshi tragjik dashurie. E vendosur në kontekstin e ditëve të sotme, me tre personazhe: aktorja, regjisori dhe asistentja, pjesa zbërthehet me të njëjtën strukturë të shtresëzuar dhe me ngjyrimin dhe shijen e orientit të largët.
“Veprën e kam menduar që para 13 vitesh. Nuk kam mundur dot ta sjell më parë në skenë, kam tentuar herë pas here, por nuk ka qenë e mundur ta realizoja. Më në fund erdhi momenti për ta sjellë në skenën e teatrit për publikun”,- pohoi regjisorja Suela Bako.
Vepra “Tri gra dhe Misugi” vjen si një shfaqje brenda shfaqjes. Premiera e kësaj vepre ishte më herët në Teatrin Eksperimental. Përkthyer nga Anxhela Çikopano, dramatizuar nga Çikopano e Suela Bako, skena, kostumet dhe poster design nga Laedia Hajdari, lighting designer Edi Dingu, video dhe foto nga Gert Izeti dhe muzika Eliona Ismalaj.
K.H.