Orkestra e harqeve “Aleksandër Moisiu” të Durrësit është nderuar këto ditë me çmimin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, duke u vlerësuar si formacioni më i mirë instrumental në Festivalin e organizuar në qytetin e Elbasanit.

Dirigjenti i orkestrës së Durrësit, Petrika Afezolli tha se formacioni me 18 instrumentistë i drejtuar prej tij interpretoi në skenën e teatrit “Skampa” të Elbasanit “Serenatën” e P. I. Çajkovskit me të katër kohët e saj.

"Kjo vepër e plotë luhet për herë të parë që nga viti 1989 në vendin tonë" – shtoi dirigjenti Afezolli, i cili vlerëson motivacionin “Për nivel të lartë artistik”, që juria e Elbasanit i akordoi bashkë me cmimin “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” orkestrës “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Në edicionin e tretë të Festivalit të Orkestrave të harqeve që u organizua në Elbasan nga 22-25 tetor morën pjesë 5 formacione të plota si dhe grupe të ndryshme, interpretë të muzikës së dhomës nga i gjithë vendi. /G.Kabashi