Relikti i një anijeje që i përket periudhës postmedioevale ka dalë në dritë ditët e fundit në bregdetin e Kepit të Rodonit.

Relikti me gjatësi rreth 20 metra u zbulua shumë pranë vijës së ujit dhe i është nënshtruar pastrimit, fotografimit dhe matjeve të kujdesëshme, që synojnë të kuptojnë mënyrën se si ndërtoheshin anijet në kohë të ndryshme.

Arkeologu nënujor Adrian Anastasi, i cili drejton projektin për përpilimin e hartës arkeologjike nënujore tha për APD-në, se ai është emërtuar "Rodon 4" dhe është zbuluar pas tre relikteve të tjerë.

Dr. Anastasi tha se "më shumë se 2300 vjet më parë këto anije, të cilat i emërtuam simbolikisht "Rodon 1" dhe "Rodon 2", besohet se transportonin drejt Durrësit dhe destinacioneve të tjera mesdhetare ngarkesa të përziera edhe me amfora, apo tulla, tjegulla e qeramikë fine, të prodhuara me baltë nga qyteti antik i Durrësit".

"Ky është vetëm fillimi i surprizave në një nga zonat më të bukura dhe më pak të njohura të bregdetit shqiptar," -tha Dr. Adrian Anastasi.