61 nxënës të ekselencës në Durrës, fitues të olimpiadave të ndryshme brenda e jashtë vendit, janë shpërblyer nga bashkia e Durrësit.

Në një ceremoni të zhvilluar në sallën e Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Dako vlerësoi nxënësit e eskelencës që u renditën më të mirët e Maturës Shtetërore 2016-2017, si dhe fitues të Olimpiadave Kombëtare 2017-2018, të cilët morën shpërblime mbi rezultatet e larta.

Në fjalën e tij Dako u shpreh se Bashkia e Durrësit i vlerëson dhe i mbështet nxënësit të cilët kanë rezultate të shkëlqyera si një brez i ri i cili do ta çojë përpara qytetin. "Ne si bashki i vlerësojmë dhe jemi gjithmonë pranë jush. Ky shpërblim financiar është një akt modest që Bashkia e Durrësit realizon, por duam të përcjellim mesazhin që ne i vlerësojmë të gjithë nxënësit të cilët kanë rezultate të shkëlqyera."

Më pas, së bashku me shpërblimet, kryebashkiaku Dako shpërndau edhe certifikata mirënjohje për nxënësit e dalluar.

Të rinjtë e dalluar e fitues të vendeve të para në olimpiada kryesisht në shkencat ekzakte në matematikë, fizikë, kimi e biologji, kanë si synim të vijojnë studimet në universitet më të mira të botës dhe vetëm si zgjedhje e dytë shikohet studimi në Shqipëri. 

Bashkia shpërndau vlera monetare që shkonin nga 30 mijë deri në 60 mijë lekë të reja për secilin nxënës, në bazë të çmimeve që kishin fituar.

K.H.