Festivali i Këngës në RTSH duket se premton edhe këtë vit surpriza. Pas edicionit të vjetshëm, ku në festival pati më shumë se dy emra pretendentë, duket se edhe këtë vit konkurrenca do të jetë e fortë mes zërave femërorë.

Emra të tillë si; Soni Malaj, Eranda Libohova, Jonida Maliqi duket se po komentohen si pretendentet kryesore për të fituar këtë festival, që u jep vizën për të përfaqësuar Shqipërinë në “Eurovizion”. Por nuk mbeten pas të tjera këngëtare, që kanë hyrë me këtë ambicie, si: Vikena Kamenica, Eliza Hoxha, Bojken Lako, Elton Deda, Orgesa Zaimi etj..

Disa prej tyre marrin pjesë pothuaj çdo vit në garë e të tjerë rikthehen në skenën e festivalit të fundvitit pas shumë vitesh. Disa prej këngëtarëve të njohur kanë deklaruar se marrin pjesë në këtë garë për të provuar emocionet e live-t.

Festivali i Këngës në RTSH zgjedh këngën përfaqësuese të Shqipërisë për në Festivalin Europian dhe duket se edhe këtë vit konkurrenca do të jetë e fortë. Tashmë, janë përcaktuar 22 këngët që do të marrin pjesë në netët e Festivalit të 57 të Këngës në RTSH.

Komisioni përzgjedhës ka shqyrtuar 54 këngët, që ishin regjistruar për të qenë pjesë e festës më të madhe të muzikës në Shqipëri. Ajo që bie në sy në këtë listë, të renditur sipas rendit alfabetik, është rikthimi i këngëtarëve me emër, traditë kjo që vijon që nga festivali i vitit të shkuar.

Por mes më të mirëve të muzikës, prej nga ku do të dalë edhe kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurosong”, ka edhe mjaft interpretues të rinj, që do të provojnë veten mes më të mirëve në eventin më të madh kombëtar të muzikës.

Artistët e kualifikuar do të kontaktohen së shpejti nga organizatorët e festivalit për të vijuar me fazën parapërgatitore që do të finalizohen me tri netët e Fest 57, 20-21-22 dhjetor.

Në listën e të përzgjedhurve për netët finale figurojnë edhe emra si: Aurel Thellimi, Lorela Sejdini, Bruno Pollogati, Dilan Reka, Elona Islamaj, Gjergj Leka, grupi “Alar Band”, Kelly, Klint Çollaku, Klodiana Vata, Kujtim Prodani, Lidia Lufi, Marko Strazimiri & Imbro, Mirud.

PANORAMA PLUS