“Kur dashuria kthehet në poezi” është titulli i turit muzikor që po ndërmerr në qytete të ndryshme të vendit këngëtarja Luljeta Strefi, në bashkëpunim me shoqatën “New Umor Sound”.
Disa javë më parë artistja durrsake ka prezantuar me një koncert të organizuar në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit nismën e saj për turin muzikor, që ka gjetur si bashkëudhëtar edhe këngëtarin e mirënjohur Kastriot Tusha.
Koncerti i radhës do të organizohet javën e ardhshme në Sarandë, dhe ka mbështetjen e bashkisë së qytetit bregdetar.
Prezantimi i koncertit në qytetin jugor i është besuar artistes së re Era Metalla si dhe regjisorit Giuseppe Palumbo, ndërsa ana grafike është realizuar nga Eduard Daka.
Artistët këngëtarë Luljeta Strefi dhe Kastriot Tusha do të interpretojnë repertor me këngë shqiptare, italiane dhe veçanërisht napoletane.
Publiku do të dëgjojë edhe këngë të kantautorëve italianë Cocciante, Giorgia dhe Mia Martini.
Nisur nga pritja shumë e mirë e publikut durrsak, Tusha dhe Strefi premtojnë një përballje artistike të kulturave dhe traditave më të mira muzikore të të dy vendeve.
G.K.