Te Manchester United janë lodhur me sjelljen e Paul Pogba-së, cili nga dita në ditë po bëhet edhe më i bezdisshëm ndërsa kërkon që të largohet nga skuadra. Për Jose Mourinho-n nuk ka asnjë problem që francezi të ikë, pasi ai nuk e dëshiron një futbollist që të mos luajë me zemër për skuadrën.

Por rezistencë ka nga drejtuesit e klubit, të cilët nuk duan që kampioni i botës të lërë “Old Trafford”.Ndërkohë që 25 vjeçari vazhdon me kërkesat e tij për të ikur, duke shpikur nga ditë në ditë ndonjë episod të ri. Irritimi i stafit teknik arriti kulmin përpara takimit në kampionat kundër Wolves-it, të përfunduar  me rezultatin 1-1.

Ky takim solli mjaft polemika me francezin që indirekt kritikoi teknikun portugez për taktikën e përdorur, me këtë të fundit që më pas vendosi që t’ia hiqte të drejtën për të qenë kapiteni  i dytë i ekipit.Por gjatë udhëtimit për në stadium, Pogba e ngriti në maksimum muzikën në autobus, duke sjellë pakënaqësi te stafi teknik. Ata nuk mund të pranojnë faktin që futbollistët të shpërqendrohen e të mos ta kenë mendjen te takimi i radhës.

Dhe duket se shpërqendrimi bëri që të vinte edhe ai rezultat, i cili ndali hovin e “Djajve të kuq”, që fitonin prej 3 takimesh. Të tilla rezultate kanë sjellë shqetësim te tifozët dhe drejtuesit, me grupin që nuk po arrin të marrë veten si pasojë e përplasjeve të brendshme.

E sikur kjo të mos mjaftonte, United dje mori një tjetër goditje, u eliminua nga Carabao Cup nga ekipi i Derby County-t me penallti, duke treguar se mbrojtësit nuk e kanë këtë pikën e tyre më të fortë.Mourinho është lodhur me sjelljen e Pogba-së, por në media e bëri të qartë se ai nuk po merr hak apo po përpiqet t’ia nxijë jetën futbollistit të tij. Ndërsa Pogba, që kushton 89 mln sterlina, dëshiron të largohet te Barcelona.