E gjithë çështja që vërtitet rreth stadiumit të ri të Tottenham po shndërrohet në tragji-komedi. Në projektet fillestare, impianti duhet të ishte gati për fillimin e këtij sezoni. Më pas inaugurimi u shty për mesin e shtatorit, por mesa duket punimet do të vijojnë mjaftueshëm gjatë. Deri në atë pikë që stadiumi i ri “White Hart Lane” u prezantua fillimisht… në edicionin e ri të FIFA-s se sa në realitet! Për konsekuencë skuadra londineze është e detyruar të spostojë në të tjerë impiante, ndeshjet e programuara, pasi që edhe “Wembley” rezultoi i zënë me ndeshjet e Kupës së Ligës.

Ndërkohë, federata angleze nuk është aspak e kënaqur me vonesat dhe mund të ndëshkojë klubin me një gjobë të rëndë. Të tjera para të shpenzuara? … Përveç dëmit edhe ndëshkimi…Pikërisht, sepse stadiumi i ri nuk po ndërtohet me frymën e shenjtë. Nga ajo që raporton “The Sun”, Tottenham shpenzon çdo javë rreth 4 milionë sterlina për pagat e atyre që punojnë për ndërtimin e shtëpisë së re të Spurs.

Praktikisht, projektuesit, ndërtuesit dhe elektricistët të shtuar in extremis për të përshpejtuar afatet… i kushtojnë klubit më shumë se sa i gjithë kontingjenti në dispozicion të trajnerit Pochettino. Gjithçka pavarësisht pagave të Harry Kane e Dele Alli, nuk janë kurrsesi të ulëta.

Sipas përllogaritjeve të tabloidit britanik, në fakt borderoja e Tottenham vërtitet rreth 2 milionë e gjysmë sterlina në javë, që është gati gjysma e asaj që klubi po shpenzon për të ndërtuar stadiumin. Një problem shumë i madh për financat e klubit, që po përballet me një vepër që fillimisht duhej të kushtonte 1 miliardë euro. Por me kalimin e javëve dhe nevojën për të paguar ata që punojnë, kosto e realizimit të impiantit po rritet dhe vonesa të tjera mund të krijojnë vështirësi serioze ekonomike për londinezët.

Tottenham i ka kuptuar vështirësitë që në verë, pasi ekipi i Pochettino-s ishte i vetmi që nuk realizoi asnjë blerje. Versioni zyrtar ishte që nuk donin të prishnin një skuadër të suksesshme, por ne të vërtetë mund të kenë fshehur një realitet, që vështirë që mund të pranohej nga tifozët.