Keisuke Honda është një person shumë i zënë. Në moshën 32-vjeçare, pasi la Milan-in, u transferua te Pachuca. Por tani ka gjetur një skuadër të re. E vështirë për të luajtur, sepse japonezi bën tre punë. Është lojtar, trajner dhe president. Asgjë e çuditshme, por të mos ishte për faktin se ai i mbulon këto pozicione në tri skuadra të ndryshme!
LOJTAR
Pas eksperiencës në Meksikë, Honda ka vendosur të vazhdojë në një kontinent tjetër. Ka luajtur në Azi, ka bërë emër në Europë, ka kaluar në Amerikë dhe tani i takon Oqeanisë. Japonezi, në fakt, është bindur nga Melbourne Victory që të mos i varë këpucët në gozhdë, siç ishte dhe plani i tij pas Kupës së Botës. Kampionati australian nuk ka filluar akoma, por ish- milanisti është një nga pesë të huajt e klubit, së bashku me një tjetër protagonist të Botërorit, suedezin Ola Toivonen.
TRAJNER
Por vetëm një punë nuk mund të mjaftojë. Kështu, menjëherë pas lajmit të nënshkrimit me Melbourne Victory, Honda ka bërë të ditur edhe se është bërë drejtor i përgjithshëm dhe trajner i kombëtares së Kamboxhias. Nuk do të marrë asnjë shpërblim, sepse kështu ka kërkuar vetë. Siç raporton “The Guardian”, marrëveshja e arritur me federatën e vendit aziatik do ta lejojë japonezin ta drejtojë ekipin nëpërmjet video-konferencave me stafin, në mënyrë që të jetë i pranishëm fizikisht vetëm gjatë ndërprerjes së kampionatit për ndeshjet e kombëtareve, pa qenë i detyruar të humbasë asnjë minutë nga ndeshjet e A-League.
PRESIDENT
Si thuhet? Nuk ka dy pa tre, shprehje e përdorur edhe në Japoni, sepse Honda e ka kompletuar treshen absurde me presidencën e një klubi. Skuadra është austriakja Sportverein Horn, e blerë nga japonezi në 2015-ën, kur ishte akoma një lojtar i Milan. Dhe në sezonin e parë ka ardhur menjëherë ngjitja në një kategori më lart dhe tani ‘’ishulli i vogël japonez’’ synon kategorinë e parë të futbollit austriak. Dhe ku i dihet, nëse klubi do ta arrinte, ndoshta Honda do të bindej të realizonte një tris të bujshëm…por këtë herë me të njëjtën fanellë.





