Pa u bërë lidhja e tubacionit të shtruar në shëtitoren "Taulantia" me nyjet hidrosanitare të impiantit të pastrimit, zona turistike e qytetit do të vijojë të jetë e ndotur!

Investimi për shtrimin e tubacionit u krye në fillim të pranverës së 2018-ës, çka rriti shpresat e të gjithë qytetarëve, banorëve të lagjes nr.1 dhe bizneseve të shumta, se këtë verë shëtitorja nuk do të kundërbonte me erën e rëndë të fekaleve që derdhen në det.

"Taulantia" është shëtitorja e vetme e durrsakëve e cila çdo mbrëmje frekuentohet nga qindra pushues në verë e qytetarë durrsakë.

Në stinën e nxehtë, aty zhvillohen shumë koncerte ku marrin pjesë mijëra persona kryesisht të rinj. Ata bashkëjetojnë për orë të tëra me erën e rëndë. Derdhja bëhet zakonisht gjatë natës nga subjektet e bizneseve por edhe nga vetë komunalja për të qenë jashtë syrit të njerëzve për shkak të ndotjes së madhe mjedisore që shkakton.

Mbi 5 milionë euro po investohen në projektin e rehabilitimit por pa u vënë në eficensë, kjo pjesë e qytetit nuk mund të dalë nga harta e zonave të ndotura.

K.H.