Pushuesit po rrallohen në Durrës, por po shtohen qentë e rrugës në fillim të vitit të ri shkollor. Turmat e qenve janë shpesh agresivë e të bezdisshëm në një mjedis qytetar si Durrësi. Për pushuesit, turmat e qenve në mes të qytetit përbëjnë çudi se si lejohen të bredhin kaq lirshëm rrugëve. Tani që nis shkolla e fëmijët duhet të dalin herët për në mësim, prindërit duhet të mendojnë edhe rrezikun që iu kanoset të vegjëlve nga turmat e qenve pa zot.

Qentë sa herë egërsohen, lehin parreshtur, e një situatë e tillë nuk mund të jetë e pranueshme në parametrat e sotme të një mjedisi modern në një qytet turistik. Qytetarët janë dëshmitarë në rrugë ku tregojnë se si qentë grinden me njëri-tjetrin duke bërë xhiron e darkës, por këto konflikte të këtyre kafshëve ndoshta të pafajshme, përbëjnë rrezik e frikë për njerëzit që largohen në panik.

Dhe duhet të dime se shëtitorja u përket banorëve dhe jo kafshëve të dala jashtë kontrollit. Ato janë të pakontrollueshme saqë bllokojnë edhe qarkullimin rrugor duke krijuar shpesh edhe precedente aksidentesh. Janë administratorët e qytetit që duhej të kujdeseshin për to, pasi ka pasur shumë programe për ta, por përveç deklaratave mediatike, rezultatet konkrete kanë munguar.

K.H.