Xhudisti shqiptar Indrit Çullhaj është shpallur kampion i Ballkanit në xhudo për të rritur në kampionatin e zhvilluar në Maqedoni ku merrnin pjesë 11 shtete. 22-vjeçari që stërvitet nga trajneri Driton Kuka, zhvilloi një performancë mjaft të mirë në këtë kompeticion duke fituar me meritë medaljen e arit në kategorinë -66kg. Në gjysmëfinale, Çullhaj mposhti me lehtësi sportisin nga Kosova, Fisnik Hyseni, ndërsa në finale u përballë me bullgarin Husein Gegic.
Finalja ishte e fortë, por në fund buzëqeshi sportisti shqiptari që fitoi me ‘ippon’ (tuç). Nëpërmjet një njoftimin në faqen e tij zyrtare sportisti i talentuar shqiptar, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur thotë se kjo medalje është arritja e tij më e madhe.
“1 shtator 2018 shpallem Kampion i Ballkanit për Senior, në peshën -66 kg. Kjo medalje është më e gëzushmja për mua, pas një pune dhe sakrifice të madhe, sot u shpërblye. Dua të falënderoj Driton Kuka për stërvitjen e mësimet e tij, pa të nuk do të kisha arritur sukses si 3 vitet e fundit. Dua të falënderoj shumë sponsorët e mi, Klajdi Malo dhe Gut Lala, që janë gjendur gjithmonë të gatshëm për të më përkrahur. Falënderoj Xhelil Cibakun për mbështetjen që në fëmijërinë time si dhe Federatën Shqiptare të Xhudos”, shkruan në rrjetin social Kampioni i Ballkanit, Indrit Çullhaj.
Ky është një sukses i madh për 22-vjeçarin, që një sezon më parë në këtë kompeticion arriti të shpallej nënkampion Ballkani.





