Arrestohet nga policia Dashamir Xhika, pasi gjykata e Apelit ndryshoi në arrest me burg masën e sigurisë ndaj tij.
Në një njoftim zyrtar, Policia e Tiranës bëri me dije se: Specialistët e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë ekzekutuan Vendimin Penal Nr.94, datë 01.09.2018, të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, e cila ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë nga “Arrest në shtëpi”, në “Arrest me burg” në ngarkim të shtetasit nën hetim Dashamir Xhika, 47 vjeç, banues në Tiranë (ish-Drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar).
Xhika është person nën hetim i dyshuar për konsumim të veprave penale të “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “Shpërdorim detyre” të parashikuara nga nenet 260 dhe 248 të Kodit Penal.
Vendimi/ Apeli i Krimeve të Rënda rikthen në burg Dashamir Xhikën
Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka vendosur të rikthejë në burg Dashamir Xhikën, ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Vendi u dha pas apelimit që bëri organi i akuzës. Prokuroria argumentoi se Xhika akuzohet për korrupsion në vlera të mëdha monetare dhe ka rrezik që të fshehë provat apo të arratiset. Gjithashtu, sipas organit të akuzës, sëmundja e tij, që u bë shkak që ish-zyrtari të lirohej nga qelia, nuk i rrezikon jetën edhe nëse Xhika kthehet në burg. Kërkesa e Prokurorisë u pranua nga gjykata, që vendosi rikthimin në burg të Dashamir Xhikës.





