Transferimi i Gerhard Prognit te Teuta nga Partizani, ishtë lëvizja më surprizuese në orët e fundit të merkatos. 31-vjeçari ishte pjesë e Partizanit dhe kishte vlerësimin e stafit teknik, megjithatë çuditërisht vendosi të largohet nga “Demat e Kuq”, për t’u bashkuar me bregdetarët që kanë ndërtuar një projekt ambicioz ku objektivi më minimal është pjesëmarrja në kompeticionet evropiane. Progni ndihet i lumtur me zgjedhjen që ka bërë, ndërsa zbuloi se Teuta nuk e diskuton pjesëmarrjen në Europa League këtë sezon.

Rikthimi te Teuta – “Është kënaqësi të rikthehehm sërish në Durrës, pasi kalova gjashtë muaj mjaft të mirë në apsketin sportiv. Stafi teknik shfaqi interes për mua dhe kur të duan stafi dhe presidenca dëshira është edhe më e madhe për të bashkëpunuar dhe ndaj jam këtu sot”.

Largimi nga Partizani – “Është e vërtetë që kjo lëvizje erdhi në ditën e fundit të merkatos, por e rëndësishme është që u gjet një marrëveshje nga të dyja palët dhe si unë ashtu edhe klubi u ndamë të kënaqur. Kam ndërprerë marrëveshjen me Partizanin dhe u bashkova me Teutën si lojtar i lirë.

Ndikimi i Shkëmbit – “Kemi kaluar shumë mirë kur kemi qenë shokë skuadre. Tani është pak më ndryshe, pasi ai është trajneri dhe unë lojtari. Është kënaqësi të jesh lojtari i Bledit dhe besoj se do të arrijmë edhe objektivat që ka vendosur klubi”.

Roli i preferuar – “E rëndësishme është që të jem në dobi të skuadrës. Për mua nuk ka fare probleme kjo pjesë, e rëndësishme është që skuadra të arrijë rezultatin. Unë jam i gatshëm, është trajneri ai që do të vendosë”.

Objektivat – “Me këtë grup që ka Teuta në këtë sezon do të jetë dështim nëse nuk arrijmë kompeticionet evropiane. Ky është objektivi i klubit dhe besoj se në fund të sezonit do të jemi në Europa League”.

Rivaliteti në Superiore – “Këtë sezon kampionati do të jetë shumë i fortë, pasi janë katër apo pesë skuadra që kanë bërë afrime mjaft të mira. Konkurrenca do të jetë shumë e ashpër dhe besoj se vetëm në fund do të ndahet, kush do të jetë për titull dhe kush për Europë”.