Ministria e Arsimit ka publikuar datat e provimeve dhe pushimeve të vitit mësimor 2018-2019, për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar. Në udhëzimin e përbashkët bëhet me dije se mësimi për arsimin bazë do të fillojë në 17 shtator 2018 e do të mbarojë në 12 qershor të 2019-ës. Pushimet e dimrit do të fillojnë në 22 dhjetor dhe do të përfundojnë në 6 janar 2019. 

"Provimet kombëtare të arsimit bazë zhvillohen në periudhën 13-30 qershor 2019. Rregullorja e zhvillimit të provimeve kombëtare të arsimit bazë 2019 dhe udhëzimet përkatëse do të miratohen nga ministri."

Gjithashtu bëhet me dije se mësimet për arsimin e mesëm do të fillojnë në 17 shtator dhe do të përfundojnë në 19 qershor 2019, ndërsa për maturat viti shkollor do të përfundojë në 4 qershor. Pushimet e dimrit do të merren në po të njëjtën periudhë si arsimi bazë. Ndërkohë provimet e Maturës Shtetërore për vitin 2018-2019 do të zhvillohen në periudhën kohore 6-30 qershor 2019.

"Në arsimin profesional mësimet fillojnë në 17 shtator 2018 dhe përfundojnë në 19 qershor 2019 për nxënësit e klasave të 10-ta (për të gjitha strukturat), për nxënësit e klasave të 12-ta (për strukturën 2+2) dhe për nxënësit e klasave të 11-ta dhe të 12-ta (për strukturën bllok 4 vjeçare). Po në këtë arsim profesional, nxënësit e klasave të 11-ta dhe 12-ta (struktura 2+1+1) dhe nxënësit e klasave të 11-ta (struktura 2+2) mësimi do të përfundojë në 7 qershor të 2019-ës. Ndërkohë në 28 maj të vitit 2019 do të përfundojë mësimi për të gjithë maturantët e arsimit profesional",-thuhet në udhëzim.