Moderatorja e News24, Ola Bruko ka denoncuar sot dy vajza të cilat mbledhin para në emër të emisionit "Shqiptarët për Shqiptarët", emision i cili drejtohet nga vetë ajo.

Teksa ka postuar fotot e dy vajzave, moderatorja Bruko shkruan në Facebook, se ato iu kërkonin para pushuesve në plazhet e jugut, në emër të Elvis Naçit dhe emisionit "Shqiptarët për shqiptarët".

Teksa ka denoncuar këtë abuzim, moderatorja iu bën thirrje organeve kompetente të ndërhyjnë ndërsa qytetarëve të mos mashtrohen në mënyrë të tillë.

STATUSI I PLOTË

Abuzim dhe përpjekje e turpshme për të përfituar në emër të bamirësisë për të varfërit.

Këto foto janë bërë në bregdetin e Jalës dhe këto 2 vajza bëjnë ec e jak gjithë ditën duke kërkuar para në emër të Elvis Naçit dhe emisionit “Shqiptarët për shqiptarët”. Ato iu kërkojnë njerëzve të ndihmojnë financiarisht për operimin e një fëmije 8 muajsh.

Fati e solli që këtë kërkesë të ma drejtonin edhe mua, që prej një viti jam drejtuese e emisionit “Shqiptarët për shqiptarët”, pjesëtare e përpjekjeve dhe punës së madhe që bën Elvis Naçi dhe bashkëpunëtorët e tij për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Stafi ynë ka filluar punën për një sezon tjetër solidariteti, dhe rastet që kemi identifikuar janë të shumta, por rasti i sotëm është një mashtrim i pastër dhe është për të ardhur keq nëse dikush ka rënë pre e tij, apo aq më keq nëse ky nuk është rasti i vetëm.

Elvis Naçi dhe News24 bëjnë thirrje që askush të mos bjerë pre e mashtrimeve të tilla, dhe kërkojnë nga organet kompetente të ndërhyjnë për t’iu dhënë fund atyre.

Ne së shpejti rikthehemi në ekranin e televizorit me histori të reja, me personazhe të rinj, problemeve të të cilëve do t’iu japim zgjidhje, nën logon e vetme, News24.